Connect with us

Aktuale

Mbi 1.2 milionë kosovarë të aftë për punë, e të punësuar vetëm 350 mijë

Published

on

Kosova vazhdon ta ketë një normë të lartë të popullsisë, kryesisht të moshës së re që janë të aftë për punë dhe nuk arrijnë të janë aktivë.

Kjo shkallë e lartë e papunësisë, rreth 900 mijë, është më e lartë edhe se në të gjitha shtetet fqinje.

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave, nga gjithsej 1 milion e 202 mijë e 89 banorë, popullsi aktive të aftë për punë, 357 mijë e 95 janë të punësuar, ndërsa 845 mijë e 394 janë të papunë.

Ndërsa, sipas të dhënave zyrtare në Maqedoni, nga gjithsej 953 mijë e 692 popullsi aktive të aftë për punë, 754 mijë e 206 janë të punësuar, kurse 208 mijë e 486 janë pa punë.

Por, edhe pse ASK deklaron se janë mbi 1 milion e 200 mijë persona të aftë për punë, prapë sipas raporteve të kësaj Agjencie në vitin 2017, shkalla e papunësisë është 30.5 për qind.

Edhe sipas të dhënave zyrtare të Fondit të Kursimeve Pensionale, kontribuues aktivë janë 349 mijë e 529 persona, ose të punësuar në të gjithë sektorët.

Kundër këtyre statistikave të ASK-së në lidhje me shkallën e papunësisë ka dalë kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, dhe profesori i makro-ekonomisë, Musa Limani.

Ky i fundit thotë se papunësia është deri 40 për qind, ndërsa numri i të punësuarve në sektorin privat dhe publik edhe rreth 350 mijë.

Profesori Limani thotë se çka është më e keqja, as Parlamenti e as Qeveria nuk e kanë në agjendë zbutjen e papunësisë.

“Një milion e 200 mijë deri një milion e 400 mijë persona, të cilët janë të aftë për punë, ose që e quajmë ne kontingjenti i punës, hiq prej tyre nxënësit e shkollës së mesme, studentët, ushtarakët e të tjerë, prapë mbetet një kontingjent jashtëzakonisht i madh diku 800 deri 900 mijë vetë… Janë mbi 350 mijë (të punësuar), mirëpo ky është një numër jashtëzakonisht i vogël krahasuar me numrin e kontingjentit ose të popullsisë aktive në Kosovë. Prandaj, nga kjo del konstatimi se me të vërtetë popullata e Kosovës gjendet në një kataklizëm dhe si problem social, veçmas më e theksuar është papunësia te rinia. Çka është me e keqja, edhe pse dihet se Kosova ka nivelin më të ulët të zhvillimit ekonomik, as Qeveria e as parlamenti deri më tani nuk e kanë future në gjenden e tyre që ta shtrojnë këtë problem ose të zbutet problemi i papunësisë ”, ka thënë Limani.

Ai ka shtuar se Kosova gjendet në një kaos ekonomiko-social. Limani thotë se si prioritet kjo Qeveri duhet ta ketë hartimin e strategjisë zhvillimore afatgjate të Kosovës në një periudhë dhjetë vjeçare.

Kosova, sipas tij, është dy herë më pak e zhvilluar se sa Maqedonia.

“Në aspektin e punësimit, po ashtu jemi diku 1.5 herë më pak se sa që është norma e papunësia në Maqedoni, pra, edhe këtu ngelim dhe cilin do vend të marrim sidomos këto vendet fqinje, Serbia është më e zhvilluar, por Serbia, Maqedonia, bile Mali Zi është shumë lart me një normë të punësimit. Do të thotë ne për nga norma e punësimit kemi normë më të ulët në rajon, kurse normën e papunësisë e kemi më të lartë. Këto shifra tregojnë që ne jemi vendi më i pa zhvilluar në rajon, në Evropë dhe hymë në radhën e vendeve të pa zhvilluara të botës”, ka thëna Limani.

Po ashtu Limani ka shtuar se paga mesatare në Kosovë sillet diku 490 euro, në sektorin publik, ndërsa, sipas tij, paga mesatare në Maqedoni është shumë më e lartë se sa paga mesatare në Kosovë. Derisa sipas të dhënave zyrtare, paga mesatare në Maqedoni është 541 euro.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini, ka thënë për KosovaPress se prej moshës së re cila dominon në Kosovë, rreth 80 për qind janë të gatshëm për punë, dhe nuk arrijnë të gjejnë punë në Kosovë.

“Moshën mesatare ne në Kosovë e kemi 27-28 vjeçare, prej kësaj moshe 80 për qind janë të gatshëm për punë. Megjithatë, është një prioritet te ne, për Republikën e Kosovës, që këtë moshë e kemi në krahasim me Ballkanin Perëndimor, sepse fqinjët tanë e kanë moshën më të plakur, por për fat të keq tek ne mosha e re nuk ka çka me punuar. Nuk gjejnë vende të punës, për arsye se ekonomia jonë është degraduar”, ka thënë Ajdini.

Ai ka shtuar se paga mesatare në sektorin privat është 361 euro, ndërsa paga mesatare në sektorin publik është 519 euro.

Sipas Ajdinit, në sektorin e ndërmarrjeve publike paga mesatare është 650 euro.

Niveli i pagave më të larta në Kosovë është në sektorin e ndërmarrjeve publike dhe sektorin publik, derisa me paga më të ulëta është sektori privat.

Sipas të dhënave të fundit zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paga mesatare bruto në sektorin publik është 525 euro, në sektorin privat paga mesatare 371 euro, dhe në sektorin e ndërmarrjeve publike 660 euro.

Brenda katër vjetësh, paga mesatare bruto në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ka shënuar rritje për 20 për qind ndërsa papunësia ka vazhduar të jetë e njëjtë.

Pak më mirë i kanë punët punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Kryetari Sindikatës së Re në KEK, Rafet Osmani, ka thënë për KosovaPress se paga mesatare në këtë korporatë është rreth 700 euro.

“Paga mesatare në KEK, tash pas rritjes së pagave që e patëm për shkak të protestave të shumta që i mbajtëm edhe në Prishtinë, edhe në Korporatën Energjetike të Kosovës, që u realizua me pagën e marsit (100 euro), paga mesatare tash në KEK është diku 680 euro”, ka thënë Osmani.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending