Aktuale
Mbetet larg ndërtimi i Muzeut të Historisë së Natyrës, shkak “tenderllëqet”

Projekti për ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës ka stagnuar. Ani pse para një viti zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) kishin deklaruar se ndërtimi i këtij muzeu do të fillonte në 2017-ën.
Për projektin mbi 4 milionësh është zgjedhur edhe kompania që do të merrej me punët, por për të cilin pati ankesa të kompanive tjera, ankesa këto që ia drejtuan Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).
E që më pas paneli shqyrtues i kësaj të fundit mori vendim që tenderin për ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës ta anuloj dhe që lëndën për këtë aktivitet të prokurimit ta kthej në Rivlerësim, shkruan Ndërtimi.info
Deri te ky vendim paneli shqyrtues erdhi pasi që MKRS si Autoritet Kontraktues nuk i ka trajtuar ofertat e operatorëve ekonomik konform kërkesave dhe dëshmive të parashtruar në njoftimin për kontratë. Dhe se konsorciumi “NNR-Rukolli&Call Home Elektronics Sh.P.K i rekomanduar për kontratë nga MKRS ka manipuluar me dosjen e tenderit. Në vend se të ofronte certifikatë me ndonjë kompani të certifikuar për montim të paneleve elektronike (ormanë) me certifikatën për Advanced Panel Building, konsorcimi kishte ofruar certifikatë të “Loytec Competence Partner” i cili kinse e ka certifikuar Call Home Electronics Sh.P.K.
“Në dosje ishte kërkuar që kompania të ketë certifikatë ose marrëveshje me ndonjë kompani të certifikuar për montimin e paneleve elektrike (ormanët) me certifikatën për Advanced Panel Building. Por që kompania e rekomanduar për kontratë kishte ofruar certifikatë të LOYTEC Kompetence Partner” i cili kinse e ka certifikuar Call Home Eelectronics Sh.P.K me (specializim në Building Management System si dhe Advanced Panel Building” që janë dy gjëra krejtësisht të kundërta me një certifikatë. LOYTEC Competence Parnet nuk është kompani e cila prodhon panele por është kompani e cila prodhon komponentë elektronike për BMS (Buildin Management System). Edhe pse nuk e ka të drejtën të lëshoj certifikata, kjo kompani në këtë rast e ka lëshuar sipas kërkesës. Certifikimi i lëshuar nga “Loytec” nuk përkon me arsyeshmërinë pasi që kompani “Loytec” nuk prodhon ormanë apo komponentë për ormanët, siguresa, ndërpresë”, tregon paneli shqyrtues.
Mospërputhshmëri mund të dallohet tek certifikata e lëshuara nga “Loytec”.
“Mospërputhshmëria mund të vërehet edhe certifikata e lëshuar nga Loytec që kinse certifikon Call Home Electonics Sh.P.K ku tek titulli i parë shënon specializimi në “Building Management System” që është plotësisht i arsyeshëm pasi që “Loytec” është e specializuar në BMS kurse më poshtë saj shkruan “Advanced Panel Building” të cilat certifikime nuk kanë as edhe një lidhje ë të vogël ndërmjet vete dhe nuk kanë të bëjnë fare asgjë me njëra tjetrën”, thuhet në shpjegimin e panelit shqyrtues.
Nëse vizitohet web faqja(shih: https://www.loytec.com) “Loytec Competence Partner”mund të konstatohet se kjo kompani është kompani që prodhuon komponentë elektronike(programe dhe sisteme automatike: software, server, routers, accesories, lighting control, L Vis touch panels etj) për BMS. Por në webfaqen e saj nuk ka asnjë të dhënë se kompania në fjalë prodhon panele respektivisht nuk ka të dhëna se prodhon ormanë apo komponentë për ormanë, siguresa apo ndërpresë si dhe nuk ka të dhëna se është e autorizuar apo lëshon certifikata për Advanced Panel Building.
Marrë parasysh se “Loytec” nuk prodhon ormanë me elemente përcjellëse, kjo kompani nuk mund ta certifikoj ndonjë kompani tjetër për montim të ormanëve.
Për gjithë këtë nga kompania “Loytec” të kontaktuar nga paneli shqyrtues thonë se nuk janë prodhues të ormanëve dhe se për nevojat të instalimeve me BMS ata përdorin ormanë nga prodhues tjerë.
Kurse si arsyetim për certifikim ata kanë deklaruar se mund të certifikojnë një kompani vetëm sa i përket sistemit të BMS por jo edhe ndonjë certifikim tjetër.
“Gjatë hulumtimit po ashtu është konstatuar se faqet e kompanisë, në asnjë pjesë të saj nuk ofrohet dëshmi se kompania “Loytec” prodhon ormanë elektrik. Duke marrë parasysh që kjo kompani nuk prodhon ormanë me elementë përcjellëse, kjo kompani nuk mund ta certifikoj ndonjë kompani tjetër për montim të ormanëve. Po ashtu ne edhe e kemi kontaktuar këtë kompani dhe e kemi pyetur në lidhmë me prodhimin e ormanëve, ata janë përgjigjur se nuk janë prodhues të ormanëve dhe se për nevoja të instalimeve me BMS ata përdorin ormanë nga prodhues tjetër dhe si arsyetim për certifikimin ata kanë deklaruar se mund të certifikojnë kompani vetë m sa i përket sistemit BMS e jo ndonjë certifikim tjetër siç është kërkuar nga ne për Advanced Panel Building”, bëhet e ditur në vendimin e panelit shqyrtues.
Gjithashtu, eksperti shqyrtues ka konstatuar se në dosjen e tenderit ekziston kopja e noterizuar e certifikatës së lëshuar nga kompanitë “Security Solution&Distributor” dhe “Dahua Technolgy” në emër të Alban Bikliqi me të cilën certifikatë dëshmohet se personi në fjalë ka ndjek seminare të “teknologjisë inovative e produkteve Dahua”. Por në dosje nuk ishte bashkangjitur marrëveshje apo kontratë nga njëri anëtarë i konsorciumit që do të duhet të dëshmonte se ky person është i punësuar apo i angazhuar për implementimin e projektit në fjalë.
Duke u bazuar në gjitha këto eksperti sqarues i propozoi panelit shqyrtues që ankesa e kompanisë “BM Group Sh.P.K & Alba Konstruksion Sh.P.K” të aprovohet si e bazuar dhe se të anulohet njoftimi i dhënies së kontratës dhe që po ashtu rekomandon që lënda të kthehet në rivlerësim,. Për këtë Autoriteti Kontraktues, MKRS përmes parashtresës me shkrim ë datës 07.09.2018 ka njoftuar panelin shqyrtues të OShP-së se pajtohet pjesërisht me raportin e ekspertit shqyrtues.
Ndërsa përfaqësues të kompanisë që MKRS ka propozuar për dhënie të kontratës “NNR-Rukolli” në seancën shqyrtues kishte mohuar pretendimet e OE ankuese, duke theksuar se edhe konstatimet e ekspertit janë të pabazuara e të pa arsyetuar.
“Ne i kemi lexuar me vëmendje pretendimet ankimore të OE ankues, kemi lexuar edhe mendimin e ekspertit dhe mendojmë se konstatimet e ekspertit janë të pabazuara të paarsyetuara e njëkohësisht edhe pretendimet ankimore. Çështja që e laboroi OE ankuese për panele të avancuara, një panel i avancuar nuk është gëzhoja e panelit por përmbajtja që përmban paneli brenda. Kompania që është me neve në konsorcium është kompani e certifikuat nga një kompani e cila prodhon ormanë të tillë të avancuar. Pak është me rëndësi ku merren pjesët e veçanta. Me rëndësi është ormani i avancuar e ofron një kompani që është e licensuar. Në këtë rast flasim për panele të avancuara dhe secila kompani për vete e përcakton avancimin e punëtorëve të vet. Nuk kemi të bëjmë me një standard apo me standarde të caktuara. Në këtë rast kemi të bëjmë me një ndryshim në çmim prej mbi 400.000 euro”, kishte deklaruar përfaqësuesi i kompanisë “NNR-Rukolli”.
Si përfundim i gjithë kësaj, pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore të OE ankuese, konstatimeve, analizave konkrete e rekomandimeve të ekspertit shqyrtues, paneli shqyrtues del në përfundim se MKRS dhe CJK kanë bërë shkelje të nenit 59 të LPP pasi që kanë propozuar për kontratë një konosrcium i cili nuk përmbush kërkesat nga dosja e tenderit FTD-9.1 & 9.2. Kërkesat mbi mundësitë teknike ose profesionale.
Lidhur me këtë pretendim paneli shqyrtues konstaton se me rastin e rivlerësimit Autoritet Kontraktues në pajtim me nenin 59 dhe 72 të LPP duhet të vërtetoj se OE e rekomanduar për dhënien të p kontratës ka ofertuar konform kërkesave të DT dhe të Njoftimit të Kontratës si dhe të vërtetoj se “LOYTEC Competence Partner”” a është e certifikuar për montimin e paneleve elektrike (ormanët) me certifikatën për Advanced Panel Building” se dhe se kjo kompani a ofron prodhim të paneleve të avancuara.
Projekti për ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës ishte iniciuar qysh në 2015-ën.
Lokacioni i muzeut me rreth 4800 metra katrorë do të jetë parku i Pishave në Sllatinë. Hapësirat brenda do të jenë për ekspozitë të përhershme për 880 eksponate, për ekspozitë të përkohshme me 400 metra katrorë, sa do të jetë edhe arkivi. Muzeu do të ketë planetarium, auditorium, bibliotekë, kënd të fëmijëve, restorant, shëtitore dhe hapësira administrative.
Ky muze do t’iu ofroj qytetarëve të Kosovës ekspozita të përhershme dhe të përkohshme me eksponate nga zoologjia, gjeologjia, botanika dhe të tjera.
