Aktuale
Matoshi: S’do të jepet asnjë leje për hidrocentrale nëse nuk respektohet ambienti
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/06/decan-1.jpg)
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka thënë se s’do të jepet asnjë leje pune për hidrocentrale nëse investitorët nuk respektojnë ambientin.
Në Express Intervistën në KTV, në Ditën e Mjedisit, ai ka thënë se një hidrocentral mund të ndërtohet vetëm me një pëlqim mjedisor, por pas ndërtimit atij i duhet leja e punës. Te kjo ka thënë se nuk do të lejohet asnjë leje pune nëse investitori nuk e kthen mjedisin në gjendje të pranueshme. Matoshi ka thënë se rregullatori i energjisë është i obliguar të ndërmarrë veprime që investitorët të aplikojnë për leje pune.
“Ne nuk bëjmë ndërprerjen e punimeve. Ne jemi autoritet i rëndësishëm për zhvillimin e hidrocentraleve. Një pjesë të lejeve për ndërtimin e hidrocentraleve merren nga ne, por jo e para as e fundit. Për t’u vu në funksion një hidrocentral kërkohet leja mjedisore. Ajo mund të ndërtohet me një pëlqim mjedisor. Pëlqimi dhe leja dallojnë. Te pëlqimi janë kushtet që duhet ndjekur për të marrë lejen. Ka që kanë marrë kushtet që duhet plotësuar për të vu në funksion hidrocentralin, e që tash s’kanë ardhur për leje mjedisore. Këtë e kemi bërë të ditur dhe rregullatori i energjisë është i obliguar të ndërmarrë veprime karshi ligjit që të obligojë investitorët të aplikojnë, e më pas komisionet tona të dalin. Asnjë leje nuk do të jepet nëse nuk e ka kthyer mjedisin në gjendje të pranueshme ambientale. Duhet të dinë që një pjesë e investimit të tyre do të jetë përmirësimi i dëmeve që mund të bëjnë”, ka thënë ai.
Sipas Matoshit, investitori për hidrocentralin në Deçan nuk ka aplikuar akoma për leje pune. Ai ka thënë se mes pëlqimit dhe lejes së punës një hidrocentral mund ta shfrytëzojë një periudhë testuese prej gjashtë muajsh, por nuk duhet të lejohet të funksionojë për vite të tëra.
“I kam thënë edhe bordit të ZRRE-së. Ai është rregullatori. Si rezultat i kontakteve që kemi pas, si rezultat i bisedave, ka ndodhur ajo në Deçan ku është tërhequr një nga hidrocentralet. Pres që ZRRE të bëjë të njëjtin veprim në secilin hidrocentral që sot operon”, ka thënë ai.
Sipas tij, Ligji për Parqet nacionale është bërë më vonë se ndërtimi i disa hidrocentraleve. Për Bjeshkët e Nemuna dhe Sharrin ka thënë se me Ligjin për Parqe Nacionale kanë hasur në sfida e probleme për t’i menaxhuar. Ai është ankuar në mungesën e zonimit të parqeve.
“Parqet nacionale duhet të them që ruhen nga punëtorët që punojnë me kontratë mbi vepër nga viti 2013 e s’ka pasur përkushtim të qeverisë, as atyre të kaluara që të angazhohen resurse e personel të mjaftueshëm për të ruajtur parqet tona nacionale. Disa iniciativa që kemi marrë kanë has në pengesa nga grupe interesi ndoshta për shkak të mos komunikimit me banorët, ndoshta për interesa të tjera të disa banorëve. Kemi has në pengesa edhe për vendosjen e laurave, që i kemi menduar për ndërprerjen e prerësve ilegalë”, ka thënë ai.
Teksa ka thënë se Kosova i ka 12 për qind të territorit zonë të mbrojtur, Matoshi ka kërkuar rritjen e investimeve nëpër parqet nacionale. Ai ka thënë se si hapësira për mundësi të zhvillimit të turizmit nuk duhet të mbesin pa investime.
Matoshi ka përsëritur se termocentralet, përdorimi i thëngjillit e numri i madh i veturave dhe vjetërsia e tyre janë shkaktarët kryesorë për ndotjen e ajrit.
Ai ka dalluar masën e re që ka hyrë në fuqi nga 1 qershori për matjen e emetimit të gazrave nga veturat. Matoshi ka shtuar se kjo matje bëhet në çdo kontrollues automjetesh kur bëhet regjistrimi i tyre. Ai ka kujtuar se pas tre muajsh s’do të jetë e mundshme të regjistrohen veturat që s’e plotësojnë të paktën standardin Euro 4.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)