Aktuale
Matoshi për deponin në Harilaq: Jemi të bindur që nuk paraqet rrezik për banorët

Mundësia e ndërtimit të një deponie të mbeturinave të rrezikshme në fshatin Harilaq të Komunës së Fushë Kosovës, dërgoi atje Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) Fatmir Matoshi.
Komuna bashkë me banorët e asaj zone po kundërshtojnë ndërtimin e kësaj deponine.
Por Matoshi pas takimit që pati me kryetarin e kësaj komune Burim Berisha, tha se janë të bindur që kjo nuk paraqet rrezik për banorët. Por megjithatë ai tha se atje janë duke u bërë vetëm shpimet gjeologjike, duke siguruar se MMPH nuk do lejoj ndërtimin e një deponie në rast se vërtetohet se është rrezik për banorët e asaj zone.
“Ne si ministri jemi të bindur që kjo nuk paraqet asnjë rrezik për banorët. Megjithatë, faza e ndërtimit, e dhënies së lejes , e vlerësimit të ndikimit në mjedis janë faza të mëvonshme. Sot për sot po flasim vetëm për shpimet gjeologjike në këtë zonë. Jemi të fokusuar dhe të angazhuar që të bëjmë një zgjidhje të përbashkët. Po siguroj edhe qytetarët e Harilaq dhe të zonës se asnjë ndërtim i asnjë lloj deponie apo magazine e cila rrezikon shëndetin dhe jetën e banorëve në atë zonë nuk do të lejohet nga MMPH”, tha Matoshi.
Mmungesa e komunikimit rreth këtij projekti në kohë, sipas ministrit Matoshi ka mundur të sjellë paqartësi për komunën dhe banorët e Harilaqit për lokacionin e ndërtimit të deponimit.
Ndërsa, i pari i Komunës së Fushë Kosovës Burim Berisha tregoi se në takim ka propozuar një lokacion tjetër i cili do të ishte më i përshtatshëm dhe do të pranohej edhe nga vetë banorët.
“Ishte edhe një propozim për një lokacion tjetër dhe kërkoj nga ministri që të shohin atë variant edhe pse nuk e di se a e pranojnë rrethina por është shumë më e përshtatshme. Ekziston një lokacion shumë më i përshtatshëm. Është atje ku “Bechtel&Enka” ka marrë gurët për autostradë, dhe mendoj që është mjaftueshëm larg vendbanimeve, bizneseve, larg stadiumit të ri që po ndërtohet, mjaftueshëm larg kështjellës së Harilaqit, mjaftueshëm larg rrugës Nish-Lezhë rrugës së vjetër, mjaftueshëm larg banorëve të cilët nuk besoj që do ta kundërshtojnë”, është shprehur Berisha.
Megjithëkëtë, Matoshi thotë se do komisionet e krijuara do të shohin por që asnjë ndërtim i deponive nuk do ndodhë në rast se rrezikon jetën e banorëve.
Ndërsa, Komuna e Fushë Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje, dhe se të enjten do të takohen sërish për përfaqësues të MMPH-së për të gjetur një zgjidhje karshi kësaj.
Ndërtimi i këtyre magazinave po financohet nga Bashkimi Evropian me vlerë mbi 12 milionë euro.
Zona e caktuar për deponi rrethohet nga pjesa e banuar e Harilaqit dhe nga fshatrat Korroticë dhe Sllatinë.
