Aktuale
Matoshi: Në Kosovë trajtohem vetëm 4% e ujërave të zeza
Ministri në detyrë i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi mbajti konferencën e fundvitit me gazetarë. Ai tha se prioritet kryesor ka qenë mbrojtja e burimeve ujore si dhe ndërtimi i hidrosistemeve të reja në Kosovë, në mënyrë që të sigurohet ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ndërsa, ndotja e ajrit në kryeqytet dhe në disa komuna të tjera është një problem i madh i trashëguar, problem ky që është trajtuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Matoshi tha se në kuadër të Taskë Forcës ndërministrore për ajrin, janë adresuar çështje të rëndësishme, ku janë marrë veprime konkrete në reduktimin e ndotjes së ajrit përfshirë: ndalimin e përdorimit të thëngjillit në shkolla, ndalimin e përdorimit të thëngjillit në objektet e institucioneve publike dhe instalimin e softuerit për paraqitjen e të dhënave në kohë reale mbi ndotjen e ajrit, me përkrahjen e BE-së, përcjell ksp.
“Po ashtu me buxhetin e MMPH janë duke u realizuar shumë projekte në rregullimin e shtretërve të lumenjve në të gjitha komunat e Kosovës për të eliminuar degradimin e madh të cilat arrijnë vlerën rreth 16 milionë euro. Ndërsa për momentin në vendin tonë trajtohen vetëm 4 përqind e ujërave të zeza”, tha ai.
Sipas ministrit në bashkëpunim me donatorët ndërkombëtarë kanë filluar projekte për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, disa prej të cilave janë në përfundim e sipër e disa të tjera në fazën fillestare të realizimit.
“Krahas investimeve që po bëhen në fushën e ujërave, kemi ndërmarrë dhe veprime ndëshkuese ndaj operatorëve ilegalë dhe qytetarëve që në një apo formë tjetër kanë ndotur burimet ujore apo lumenjtë e Kosovës”, tha Matoshi.
Prioritet tjetër mjaft i rëndësishëm, sipas tij, ka qenë edhe eliminimi i deponive ilegale të mbeturinave duke organizuar fushata pastrimi e rehabilitimi të zonave të degraduara me vite në Kosovë përmes krijimit të zonave të reja të gjelbra.