Aktuale
Matoshi e Haziri thonë se më 28 nëntor përurohet projekti i lumit Mirusha në Gjilan

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me kryetarin e komunës së Gjilanit, sot kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për financimin e projektit “Rregullimi i shtratit të lumit Mirusha”, në Gjilan.
Matoshi thotë që përmes financimit të këtyre projekteve po ndihmohen komunat në rrugën drejt krijimit të një mjedisi të pastër.
“Jam i lumtur që sot, përmes nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me kryetarin Haziri, po financojmë projektin e rregullimit te shtratit të lumit Mirusha në Gjilan, të cilin këtë vit e financojmë në vlerë prej 250 mijë euro”, deklaroi Matoshi.
Siç njofton kumtesa nga kjo Ministri, Matoshi ka thënë se MMPH këtë vit në Gjilan së bashku me komunën investon edhe në rregullimin e parqeve dhe zonave të gjelbërta rreth Mirushës dhe investimi i tërësishëm në hapësirat gjelbëruese në Gjilan sipas këtij projekti arrin në vlerën e 700 mijë eurove.
“MMPH mbështet dhe financon në Gjilan edhe 3 projekte tjera, Pastrimi i shtretërve të lumenjve Morava dhe Stanishorka, Krijimi i zonave të gjelbërta në Gjilan dhe Ndërtimi i kanalizimit në shtratin e lumit në Doberqan-Gjilan”, thuhet në komunikatë.
Nga ana tjetër kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, falënderoi ministrin Matoshi, për përkrahjen e vazhdueshme që po i jep Komunës ë Gjilanit në realizimin e projekteve mjedisore.
Matoshi e Haziri janë dakorduar që me 28 nëntor të këtij viti, me një ceremoni zyrtare të përurojnë projektin e lumit Mirusha në Gjilan.
