Aktuale
“Marrëveshja për Hekurudhat në interes të Kosovës, ndikon në ekonomi”
Delegacioni i Kosovës dhe i Serbisë, janë takuar dje në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Berlin me ambasadorin Richard Grenell, i dërguar i presidentit amerikan për dialogun Kosovë – Serbi.
Në këtë takim është biseduar për rivendosjen e linjës hekurudhore midis Prishtinës dhe Beogradit, takim ky i cili zgjati pothuajse tri orë.
Nga Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, një marrëveshje e tillë po cilësohet si hap pozitiv ai në kuptimin ekonomik, ashtu edhe në atë politik.
Shkumbin Hyseni, menaxher në Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave, thotë për Ekonomia Online se një marrëveshje eventuale do të ishte në interes të hekurudhave, pasi që do të lehtësonte qarkullimin e mallrave, por edhe të udhëtarëve në transportin ndërkombëtar.
“Përfitimet e Kosovës nga kjo marrëveshja janë jo të vogla në kuptimin ekonomik dhe në zhvillim të vendit, sepse deri më tani Hekurudha e Kosovës ka funksionuar si destinacion final apo si pikë fillestare e organizimit të transportit të mallrave. Ajo që është në interes të Hekurudhave është që të kemi një transit, përveç vend final dhe ne presim që thjesht në bazë të kësaj marrëveshjes të mund të jepet një frymë qarkullimit të trenave të mallrave por edhe të udhëtarëve, me çka te rasti i transportit të udhëtarëve duhet të them se udhëtarët e Kosovës janë të privuar me transportet ndërkombëtare. Presim që kjo marrëveshje të jap mundësinë e transportit ndërkombëtare të trenave të udhëtarëve, ku qytetarët tanë me tren mund të udhëtojnë në vendet tjera”, thotë ai.
“Nëse i referohemi vendimit të ministrit Pal Lekaj, shkruan se ne do të përfaqësohemi si shtet dhe delegacioni ynë do të jetë i obliguar të përfaqësojë Kosovën sipas Kushtetutës. Presim që ta respektojë këtë vendim dhe ta kemi një marrëveshje që do ta respektojë ligjin dhe Republikën e Kosovës. 3 vite me parë kemi marrë një vendim që të ndalen të gjithë trenat ilegal 3-4 trena vajtje ardhje në Mitrovicën e Veriut. Por besoj që pas kësaj marrëveshje do të kemi një kontroll të plotë të sistemit hekurudhor mes shteteve”, thotë ai.
Hyseni thotë se në krahasim me vendet e rajonit gjendja e hekurudhave në vend është e mire dhe se si Autoritet Rregullativ i Hekurudhave në vazhdimësi inspektojnë gjendjen e sigurshmërisë dhe funksionalizimin e linjave hekurudhore në vend.
Pavarësisht që po vlerësohet një hap drejt finalizimit të marrëveshjes, Hyseni thotë se janë vonuar në këtë aspekt.
Ai pret rezultate pozitive nga delegacioni kosovar në Berlin.
“Do të vlejnë rregullat e njëjta të transportit të udhëtarëve, rreth kësaj çështje pritet të ketë më pak diskutime. Në bazë të deklaratave zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, do të jetë modeli dhe praktika e njëjtë edhe në pjesët e tjera të pikë kalimet kufitare të transportit rrugor, thotë
“Linja ajrore është një marrëveshje që ka përfunduar, kurse transporti hekurudhor është në proces të negocimit derisa ende nuk është përfunduar. Presim që ajo të lëshohet, konsideroj që jemi vonuar. Nuk është faji i palës së Kosovës por si proces jemi vonë sepse hekurudha e Kosovës nuk ka mbërri të zhvillohet mjaftueshëm, pasi ka qenë vetëm vend që transporti nuk është organizuar si vend tranzit. Jemi në nivel me rajonin, hekurudha e Kosovës do ti jepte impakt zhvillimit ekonomik të vendit. Presim rezultate pozitive nga delegacioni jonë në Berlin”, thotë ai.
Një marrëveshje e tillë po cilësohet si hap pozitiv dhe e cila mund t’i paraprijë rifillimit të dialogut, mirëpo është kritikuar përfaqësimi i Kosovës dhe jotransparenca mbi këtë marrëveshje.