Connect with us

Aktuale

Maratona e zhagitjes së ujësjellësit në Dragash, kryetari s’di më çka të bëjë

Published

on

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ktheu hiç më pak se katër herë në Rivlerësim tenderin e ujësjellësit kryesor në Dragash, por megjithatë nuk u arrit që ky tender maratonik të marrë formë.

Pas katër këtyre anulimeve, Komuna e Dragashit, me 12 shtator e kishte publikuar njoftimin për dhënie të Kontratës. Ku për dhënie të kontratës për “Ujësjellësi kryesor-Vazhdim i punimeve (Projekt tre vjeçar)”, me vlerë 1.151.532,41 centë ishte rekomanduar grupi i Operatorëve Ekonomik N.P.T “Fanaj Inxhinjering”, “Lala” Sh.P.K.

Megjithëkëtë, zgjedhja e këtij konsorciumi nuk bëri që të zgjidhet “lëmshi” i krijuar në këtë tender. Edhe ndaj këtij konsorcium po ka ankesa në Gjykatën e Tenderëve.

Kompanitë ankuese po pretendojnë se Autoriteti Kontraktues, në këtë rast Komuna e Dragashit nuk po përfillë nenet e Ligjit të Prokurimit Publik (LPP).

“Lëmshi” i krijuar për tenderin e ujësjellësit kryesor-vazhdim i punimeve (projekt tre vjeçar) ka bllokuar 15 fshatra të kësaj komune.

E kryetari i Komunës së Dragashit Shaban Shabani nuk po di çfarë të bëjë.

Ai i tha Ndërtimi.info se e vetmja zgjidhje më e mirë kishte me qenë nëse Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) do ta anulonte krejtësisht tenderin, dhe që me këtë tender të ofertohej me operatorë të rinjë.

“Realisht ne jemi në një pozitë të vështirë. Nuk po kemi mundësi as me anulu tenderin e me rishiku. Por neve vetëm po na kërkohet që me bë rivlerësimin me të njëjtit operatorë ekonomik që kanë ofertuar. Komisioni ka kaluar nga një operatorë që ka qenë më i liri pjesën e operatorit të dytë. Nëse ka rekomandime prej  OShP-së mund të kalohet operatori tre dhe katër. Sepse realisht nuk ka procedurë se çka me vepru. Jemi në pritje të vendimit të OShP-së. Unë prej fillimit kam pas dëshirë me pas këtë mundësi. Mirëpo nuk e kam këtë mundësi, sepse, gjithnjë po kërkohet me u bërë rivlerësimi dhe jo anulimi. Po t’i kishim rekomandimet për me anulu unë me kënaqësi e kisha anuluar dhe kish me dalë tenderi i ri dhe operatorët ekonomik kishin konkuruar nga fillimi”, ka deklaruar Shabani.

Se a kanë kërkuar komuna si Autoritet Kontraktues nga OShP-ja që lënda të anulohet, meqenëse e shohin si të vetmen zgjidhje, kryetari Shabani potencon se nuk duan të implikohen në organin e pavarur.

“Ne edhe nuk po kemi drejtë në qasje sepse ata llogariten organi i pavarur dhe në një far forme vështirë me u impliku te kjo pjesa këtu . Nëse do të kish me qenë  e mundshme me u anulu dhe me u ritendru po iu them se me shumë kënaqësi. Sepse ky është projekt i madh për Dragashin dhe 15 fshatrat kanë mbetur peng i këtyre procedurave. Është një situatë jashtëzakonisht e komplikuar”, potencoi ai për Ndërtimi.info

Por se gjithë kjo po vie meqë nuk po përfillën rekomandimet e OShP-së nga Komuna e Dragashit, kjo e fundit e mohon të ketë ndodhur diçka e tillë. Pasi që sipas të parit të Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, komisioni i krijuar nga ai, pikërisht për këtë tender ka përfillur rekomandimet e sugjeruar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

“Realisht OShP kur i ka dhënë rekomandimet unë i kam kërkuar komisionit që të shkojnë konform rekomandimeve. Atëherë komisioni ka vlerësuar se kanë vepruar konform rekomandimeve të OShP-së për operatorët që është vlerësuar i njëjti operator se iu janë kërkuar dokumentacion shtesë. Realisht atë dokumentacion shtesë e kanë sjellë operatorët ekonomik dhe me thënë të drejtën vendimi i komisionit ka qenë për operatorin në fjalë …në një far forme në fund ne shkresë zyrtare nga OShP nuk kemi pranuar se a është në rregull dhe ky vendim i komisionit të fundit nuk është në rregull. Ata thonë se sipas rekomandimeve të OShP-së kanë mundur me referu të njëjtin operator ekonomik edhe që është llogaritur i papërgjegjshëm. Mirëpo me thënë drejtën informata zyrtare nga OSHP nuk kam”, tha ai.

Ndërkohë, deri sa ankesat po vazhdojnë të adresohen në OShP, vendimin e kësaj të fundit po vazhdon ta pres edhe Komuna e Dragashit.

“Për fat të keq po na zhagitet që për katër vite. Kemi ankesa nga operatorët ekonomik dhe tash në të njëjtën kohë po na vjen kërkesa prej OShP-së për rivlerësim të tenderit. Ky është shqetësim i madh edhe për ne dhe për të gjithë qytetarët. Faktikisht 15 fshatra na mbesin pa ujë. Realisht e di që komisioni e ka bërë një vlerësim. Me të thënë të drejtën komisioni llogaritet që e kryen punën e pavarur , nuk ka qenë i ndikuar dhe kanë qenë të njoftuar edhe me rekomandimet që ka dhënë OShP-ja. I është dhënë edhe ofertuesit të parë dy herë, operatorit ekomomik dytë dy herë, do me thënë edhe më herët ka patur rivlerësim. Për momentin jemi në pritje të shkresës zyrtare të OShP-së, tash do të vazhdojmë me procedurën e mëtutjeshme. Prapë komisioni do ta bëjë një rivlerësim a do të duhet me qenë operatori tjetër apo çka”, përfundoi Shabani.

Ndërsa, së fundmi ankesat në OShP erdhën nga  konsorciumi NNP”Ebek” & “Gashi ING”&”Vodoskok”&”Muratori” Sh.P.K. i cili pretendon se Komuna e Dragashit në dhënien e këtij tenderi nuk ka përfillur nenin 1, nenin 6 që ka të bëjë me ekonomicitetin dhe efikasitetin, nenin 7 që parasheh barazinë në trajtim/jo-diskriminim, nenin 59 bazë të cilës duhet të bëhet ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve. Po ashtu, ankuesi pretendon se është shkelur edhe neni 72, dhe neni 131.

Duke pasur parasysh që kjo kompani, ankuese tani, herën e kaluar ishte shpallur si fituese e këtij tenderi, po konsideron se Komuna e Dragashit nuk ka operuar në mënyrë ekonomike dhe të drejtë që fondet publike të përdoren duke marrë në konsideratë qëllimin dhe lëndën e prokurimit.

“Duke qenë se kemi dorëzuar një ofertë të përgatitur me të gjithë dokumentacionin e kërkuar në kërkesat dhe kushtet e dosjes së tenderit me një çmim të arsyeshëm për objektin e kontratës në shumë prej 1087848.66 euro. Ndërsa, oferta e shpallur fituese pas rivlerësimit me një shumë prej 1151532.41 euro, me një dallim prej 63683.75 euro, duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Dragashit” thuhet në ankesën e konosrciumit NNP”Ebek” & “Gashi ING”&”Vodoskok”&”Muratori” Sh.P.K.

Mes tjerash ankuesit thonë se Komuna e Dragashit, ka tejkaluar ofertën e tyre pa marrë veprime konkrete ligjoe me qëllim të verifikimit të saktë dhe të drejtë të dokumentacionit të ofruar në këtë aktivitet të prokurimit.

Ndërsa, ankesa e dytë vie nga konsorciumi “Puna” Sh.P.K & N.N “Infra Plus”.

Edhe ky konsorcium pretendon se Komuna e Dragashit nuk ka trajtuar në mënyrë të barabartë operatorët ekonomik që kanë ofertuar në këtë tedner.

Sipas këtij konsorciumi komuna ka bërë shkelje të nenit 1, 6, 7, 56, 59, 60.

Rikujtojmë se procedurat e prokurimit për këtë tender nisën qysh në qershor të 2017-ës.

Sipas kontratës parashihet që të bëhet pastrimi i terenit dhe shënimi i trasesë=40604.34 metra, gërmimi i dheut të kat III-VIII-87705.37 metra kub, mbushja me dheun e imtësuar=63342.77 metra kub, blerja, transportimi dhe vënia në transhe e rërës=24362.60 metra kub.

Veç këtyre parashihen punët tokësore për gypsjellësin, punët e montimit të gypave :PE=100, PN=10 bar dhe pjesëve lidhëse, punët e montimit të gypave: PE-100, PN-16 bar dhe pjesëve lidhëse, punët e montimit të gypave: PE=100, PN=20 bar dhe pjesëve lidhëse, punët e montimit të gypave: PE-100, PN=30 bar dhe pjesëve lidhëse, punët e montimit të gypave: PE-100, PN=40 bar dhe pjesëve lidhëse si dhe punët e betonimit, si dhe punët elektrike.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending