Aktuale
Maliqi: Shpend Ahmeti u luhat për çështjen e “Gërmisë”

Debati për rrënimin apo konservimin e objektit, i cili tani është nën shfrytëzimin e Administratës Tatimore të Kosovës e dikur ishte ish-qendra tregtare “Gërmia” ende po vazhdon.
Ky objekt, i ndërtuar në të njëjtën periudhë me hotelin “Grand” e disa objekte të tjera emblematike të Prishtinës, planifikohej të adaptohej për një sallë koncertale, të cilën do ta shfrytëzonte komuniteti artistik, megjithatë në diskutim ekziston edhe opsioni i rrënimit të tij dhe ndërtimi i një objekti të ri.
Për këtë ide pati reagime të shumta nga komuniteti i arkitektëve të vendit, gjithashtu edhe nga organizata si ajo për mbrojtjen, promovimin dhe konservimin e lëvizjes moderne “DoCoMoMo Kosova”, e cila filloi një peticion kundër rrënimit të objektit.
Rreth kësaj teme ka reaguar edhe publicisti Shkelzen Maliqi i cili ndër të tjera ka treguar edhe për idenë e tij rreth këtij objekti.
Postimi i plotë:
EDHE NJE HERE RRETH “GERMISE”
Tani që kundërshtimi i rrënimit të Germisë bëri jehonë, dhe u luhat edhe Kryetari i komunës Shpend Ahmeti, debati po përqendrohet te çështja e vlerës së objektit, që disa e konsiderojnë të paqenë ose të degraduar, për të fuqizuar argumentet se nuk bëhet asnjë dëm nëse shembet për t’ia hapur vendin Sallës së koncerteve. Mohohet vlera arkitektonike sepse paska qene Robna kuća ne ish Jugosllavi, si kopje e godinave të ngjashme ku shiteshin mallrat e asaj kohe. Mohimi tjetër godet argumentin e kujtesës: çfarë kujtesash të rëndësishme po I gjeneroka një shtëpi stereotipe mallrash nga ato kohërat që sot duhet respektuar?
Disa as që duan të dëgjojnë argumentet urbanistike dhe të vlerave të veçanta arkitektonike që i ka Germia jo vetëm nga pamja e jashtme, por edhe në brendi.
Është thënë se për shijet nuk vlen të diskutohet, dhe këtu mund ti llogarisim edhe kujtesat. Ja p. sh. deputeti dhe dizajneri Fisnik Ismaili bëri një shkrim të shtershem rreth nostalgjisë për objektet e Prishtinës se vjetër, shumica e shkatërruar ose e shpërfytyruar, dhe për Robna kyçen nuk shfaqi asnjë konsideratë e as simpati.
Vlera e objektit të Germisë në sheshin Skënderbe mund të matet edhe ndryshe me logjikën e sotme të kapitalizmit, si vlerë që aktualisht do të mund ta ketë në treg. Dhe kjo vlerë nuk është e vogël, mendoj se e tejkalon vlerën e investimit të premtuar të BË. Pastaj, bëhet fjalë për një objekt solid, të qëndrueshëm, që mund të shfrytëzohet edhe shumë kohë nëse I jepet destinimi që e ka pas, ose ndonjë tjetër. Një objekt si ky absolutisht i shfrytëzueshme që momentalisht në sheshin çfarë është nuk bën asnjë pengesë dhe qyteti nuk ka plane që këtë shesh ta bëjë me të organizuar, nuk ka pse të asgjësohet pa kompensim serioz. Vetëm ai vend mund të shitet kapitalisteve për shumën mbi 20 milion.
Por nuk jam për këtë solucion. Mendoj se aty e ka vendin një objekt publik dhe i kulturës për të cilën ai është i shfrytëzueshme, mund të adaptohet me mjete jo të mëdha për një kohë të shkurt, pa e shemb.
Ideja e ime ka qenë që aty të themelohet Muzeu i arteve bashkekohore, kurse për donacionin e BE- së të caktohet një lokacion tjetër në qendër të Prishtinës. Kështu kultura do të fitonte gati njëkohësisht dy objekte kapitale për kulturën deri sot të neglizhuar.
Se voni mu kujtua edhe një vend në qendër, përpara shtypshkronjës se Rilindjes, besoj se është pronë publike, ky do të mund të ndërtohej salla e koncerteve. Është e vërtetë se ajo hapësirë i shkon mirë godinave ekzistuese e edhe është si një park i vogël me bustin e Ismaili Qemalit, por Nese aty do të ndërrtohej nje objekt reprezentativ i Sallës së koncerteve dëmi do të ishte shumëfish me i vogël… Dhe edhe në atë udhëkryq, që tani është pa identitet të formësuar, urbanizimi I Prishtines do të pasurohet…
Dhe të gjithë do të ishim të kenaqur.
