Aktuale
Makina Tesla dhe shtëpia për t’i mbijetuar fundit të botës
Një grup arkitektësh rusë ndërtuan një projektin e një shtëpie për të mbijetuar
pas “fundit të botës”, duke u frymëzua nga “CyberTruck”, modeli i kompanisë
Tesla.
Grupi i arkitektëve me bazë në Shën Pjetërburg thotë se projekti i tyre, i
quajtur “CyberHouse” i përshtatet makinës “CyberTruck”, ndërsa pranojnë së
frymëzim në hartimin e tij kanë marrë edhe nga teknologjia e ndërtimit të
nëndetëseve.
Arkitektët thonë se kjo sthëpi do të ishte në gjendje që të përballonte
fatkeqësitë natyrore, si uraganët, tërmetet, e deri tek kontaminimi radioaktiv.
Bashkë me imazhet e publikuara në internet, autorët e këtij projekti publikuan
edhe detaje specifike, që nga hapësira, që sipas tyre do të ishte e mjaftueshme
që 7 njerëz të jetonin rehatshëm, edhe nëse bllokoheshin pas një fatkeqësie
natyrore.
Shtëpia është e projektuar me një sistem filtrimi të ujit të pijshëm që
sigurohet përmes puseve, madje edhe me filtra për pastrimin e ajrit, në rast se
ajri në ambientin e jashtëm është helmues.
Gjithashtu, në këtë shtëpi vështirë se do të ikte ndonjëherë energjia elektrike.
Kjo energji sigurohet nga tre burime. Kryesore është energjia e siguruar nga
panelet diellore, pastaj nga energjia eolike (nga era) dhe në fund energjia e
tepërt që grumbullohet në një sistem baterish rezervë që janë në gjendje të
garantojnë energjinë elektrike për javë me radhë.







