Aktuale
Macron zotohet për rindërtimin e katedrales së Notre Damit

Presidenti i Francës Emanuel Macron është zotuar se do ta rindërtojë katedralen mesjetare të Notre-Dame, pas shkatërrimit të saj nga zjarri.
Zjarrfikësit arritën të shpëtonin strukturën kryesore 850 vjeçare nga guri, përfshirë dy kullat e saj, por pjesa e sipërme dhe kulmi u shembën krejtësisht, transmeton Ndërtimi.info.
Shkaktari kryesor i zjarrit ende nuk është i qartë, por zyrtarët thonë se kjo gjë mund të ketë ndodhur për shkak të punimeve për renovimin e saj.
Prokuroria e Parisit tha se aktualisht rasti është duke u hetuar si një aksident.
E Presidenti i Francës e ka konsideruar ngjarjen një tragjedi të tmerrshme.
Por, sipas tij “më e keqja ishte shmangur” për shkak se struktura kryesore e katedrales është ruajtur. Ai ka premtuar se do të krijojë një skemë ndërkombëtare për mbledhjen e fondeve për rindërtimin e saj.
“Ne do ta rindërtojmë këtë katedrale të gjithë së bashku. Kjo është ajo që të gjithë francezët presin sepse këtë gjë e meriton historia jonë”, është shprehur Marcon.

Në mbledhjen e fondeve do të kontribuojë edhe bilioneri François-Henri Pinault, që është kryetar dhe CEO i grupit “Kering”, së cilës i përkasin firmat e njohura të modës si Gucci dhe Yves Saint Laurent, i cili ka premtuar 100 milionë euro për rindërtimin e Notre-Damit.
Edhe fondacioni francez “Fondation du Patrimoine” është duke nisur një apel ndërkombëtar për fonde, për katedralen që zë vend të rëndësishëm në Trashëgiminë Botërore të Unesco-s.
Zjarri në katedrale kishte filluar të hënën rreth orës 18:30 dhe shumë shpejt arriti në kulmin e saj, duke shkatërruar dritaret e qelqit dhe enterierin prej druri.
Zjarrfikësit kaluan orë të tëra duke punuar për të parandaluar kolapsin e saj, teksa ekipet e kërkimit tani po vlerësojnë dëmet e shkaktuara nga kjo ngjarje.
Disa nga seksionet e ndërtesës ishin nën skela si pjesë e renovimeve. Për këtë arsye 16 statuja të bakrit ishin hequr nga kisha javën e kaluar.
Renovimi kishte filluar pasi u shfaqën çarje në disa nga gurët e objektit duke shkaktuar frikë se struktura mund të bëhej e paqëndrueshme.
Ekipet e emergjencës arritën të shpëtonin vepra arti të vlefshme dhe gjëra tjera fetare, të cilat u ruajtën brenda katedrales së ndërtuar në shekujt e XII-të dhe XIII-të.
Sipas analizës së Henri Astier, nga “BBC”, asnjë vend tjetër nuk e përfaqëson Francën si Notre-Dame, pasi që ajo ka qëndruar gjatë mbi Paris, që nga 1200-ta.
Sipas kësaj analize katedralja i ka dhënë emrin e saj njërës nga kryeveprat letrare të vendit. “The Hunchback of Notre-Dame”, e Victor Hygos është e njohur prej francezëve si Notre Dame i Parisit.
Hera e fundit që katedralja kishte pësuar dëme të mëdha kishte qenë gjatë Revolucionit Francez. Ajo i mbijetoi dy luftërave botërore dhe qëndroi kryesisht e padëmtuar.
Ngjarja është cilësuar tejet tronditës për çdo person francez.
Sipas “BBC”, mijëra njerëz ishin mbledhur në rrugë rreth katedrales, duke vëzhguar flakët në heshtje. Disa mund të shiheshin duke qarë, ndërsa të tjerë duke kënduar himne ose duke thënë lutje.
“Notre-Dame po digjet, Franca dhe e gjithë bota po qanë. Është jashtëzakonisht prekëse”, kishte thënë arqipeshkopi i Parisit, Michel Aupetit.
Ndaj rastit kishte reaguar edhe kancelarja gjermane Angela Merkel e cila e quajti Notre-Damin një “simbol të kulturës franceze dhe evropiane”.
E Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se ishte e tmerrshme të shihje zjarrin teksa kishte sugjeruar përdorimin e avionëve me cisterna të ujit për të shuar flakët, por Mbrojtja Civile e Francës kishte thënë se një opsion i tillë nuk është i mirë për shkak se do të rezultonte me rrënimin e plotë të ndërtesës./Ndërtimi.info/
