Aktuale
Luzha sheh dy skenarë rreth ish-Gërmisë dhe sallës koncertale

Që nga paslufta komuniteti artistik i Kosovës pret për një sallë të denjë që do t’i plotësonte kushtet për ngjarje të mëdha kulturore.
Premtimi se Prishtina do të bëhet me një sallë për koncerte është i vjetër dhe projekti për funksionalizimin e një salle të tillë do të mbështetet në vlerë prej 15.4 milionë eurosh nga fondet e Bashkimit Evropian.
E në këtë drejtim, ishte pikërisht objekti i ndërtuar në të njëjtën periudhë me hotelin “Grand”, e që dikur ishte qendra tregtare “Gërmia”, ai që planifikohej të adaptohej për një sallë koncertale.
Me hyrjen në listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, rrënimi eventual i ish-objektit të “Gërmisë” në Prishtinë, automatikisht do të jetë shkelje ligjore, ani pse në krejt zhurmën e opinioneve ende nuk ka një vendim përfundimtar, nëse ish-objekti i ndërmarrjes shoqërore do të rrënohet për t’i lënë vend ndërtimit të një objekti të ri, apo do të përshtatet për sallë koncertale.
Në Rubikon të KTV-së, Besa Luzha, muzikante ka thënë se janë dy skenare për ndërtimin e sallës koncertale, objekti i ish-Gërmisë dhe një lokacion tjetër. Njëri është që objekti të rrënohet.
“Skenari tjetër i mundshëm është që vendimi për mbrojtjen e kësaj ndërtese bëhet përfundimtar dhe objekti duhet me u mbrojt, nuk mund të ketë ndërhyrje sepse mbrohet krejtësisht dhe atëherë situata është shumë e qartë, atëherë Komisoni apo Komuna duhet me zgjedh lokacionin, dhe ne të gjithë jemi të pajtimit dhe themi në rregull u ruajt kjo dhe e fituam një sallë koncertale”, ka thënë Luzha. “Ne si komunitet, kudo që vendoset, ne përsëri jemi fitimtar”, ka thënë ajo.
Ndërtimi.info pak ditë më parë ka publikuar një fotoreportazh rreth “Gërmisë” i vitit 1973 nga “Zëri i rinisë” të cilin e gjeni në këtë link: https://ndertimi.info/fotoreportazh-i-1973-s-per-germine-nga-zeri-i-rinise-foto/
