Aktuale
Lutfi Haziri flet për zhdukjen e dosjeve të tenderëve në Komunë

Derisa Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj Salih Kqikut, drejtor i prokurimit në Gjilan për asgjësimin e materialit arkivor të prokurimit dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare, i pari i kësaj komune thotë se nuk ka njoftim zyrtar nga organi kompetentë për këtë çështje.
Kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri i tha Ndërtimi.info se deri në këtë momente nuk ka një informacion që është ngrit aktakuzë nga ana e prokurorisë për drejtorin e prokurimit.
“Unë nuk kam asnjë njoftim zyrtar, as njoftim tjetër që është ngrit aktakuzë nga ana e prokurorisë për Drejtorin e Prokurimit në Gjilan, deri në këtë moment”, tha Haziri.
Zhdukja e dosjeve të tenderit sipas Hazirit nuk mund të ketë ndodhur. Madje ai theksoi që prej kur komuna është nën administrim të tij, asnjëherë nuk ka pasur zhdukje të dokumentacioneve.
“Nënë administrimin që unë jam kryetar nuk ka ndodhur asnjëherë me u zhduk asnjë dokument. Përkundrazi ne jemi bashkëpunues me prokurorinë edhe në çdo rast tjetër, Prokuroria apo organet e shtetit kanë kërkuar dokumentacion apo informacion shtesë”, theksoi Haziri.
Lidhur me këtë Haziri po pret deri sa të marr një njoftim zyrtar nga Prokuroria për ngritje të aktakuzës ndaj drejtorit të komunës të cilën ai drejton.
Ndërsa veprimet që do të ndërmarr karshi drejtorit Kqiku, i pari i Gjilanit tha se rruga është e qartë dhe se do të veprohet sipas procedurave për shërbyes civil, që është suspendimi deri në një vendim gjyqësor.
Por Haziri heziton të flas më shumë rreth kësaj duke theksuar se deri sa nuk ka diçka zyrtare çdo gjë tjetër mund të jetë paragjykim.
“Do të veprojë në përputhje me Ligjin në fuqi dhe ai është shumë I qartë. Ligji për Shërbyes Civil është shumë i qartë, në momenti që zyrtarisht më konfirmohet veprimi është procedural. Ne kemi bashkëpunim ndërinstitucional. Prokuroria e ka prokurorin ndërlidhës në nivel të republikës ai për të gjitha rastet na njofton me kohë me shkrim. Nuk mund të flas me paragjykim. Nëse ngritët aktakuzë ndaj shërbyesit civil procedura është e suspendimit deri në një vendim gjyqësor Kjo është e qartë, rruga është e qartë.
Ndërsa, Jetish Maloku, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Gjilan ka konfirmuar aktakuzën për koha ditore por që nuk ka dhënë shumë detaje në lidhje me këtë çështje porse ka deklaruar se hetimet kanë filluar qysh në vitin 2014.
“Aty kemi shkuar hetuesit dhe nuk po munden të gjejnë dosjet e tenderimeve për Gjilan dhe kjo ka ndodhur gjatë vitit 2014 për momentin e kemi pasur këtë si të dyshuar prej fillimit. Ne nuk kemi gjetur dyshime në persona tjetër të cilët janë të inkriminuar në këtë rast. Në fakt zyra e shtetit i është dhënë në shfrytëzim një OJQ-je dhe si mundet që të jepet zyra e shtetit dikujt në shfrytëzim domethënë me ja dhënë arkivin dikujt”, ka thënë ai.
