Aktuale
“Lufta politike” për kryeinspektorin

Zëri mëson se pas ndërrimit të pushtetit, vitin e kaluar, kanë filluar apetitet e partive nga koalicioni qeverisës për ta rrëzuar kryeinspektorin aktual.
Mbi 10 kandidatë sa kanë konkurruar për kryeinspektor të tregut në MTI po e presin qe dy muaj një vendim final nga institucionet për konkursin e shpallur nga Ministria e Administratës Publike (MAP). Komisioni për Ankesa në MAP gjeti se shpallja e konkursit nuk kishte mbështetje ligjore, ndërsa rasti tani ka përfunduar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Më 14 nëntor të vitit të kaluar Ministria e Administratës Publike (MAP) ia shpalli konkursin kryeinspektorit aktual të tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Lulzim Sylës.
Por kur kanë kaluar afër tre muaj, konkursi është bllokuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ((KPMSHCK). Dyshohet se me shpalljen e këtij konkursi MAP-i bëri shkelje të legjislacionit në fuqi.
Gazeta “Zëri” mëson se pas ndërrimit të pushtetit, vitin e kaluar, kanë filluar apetitet e partive nga koalicioni qeverisës për ta rrëzuar kryeinspektorin aktual.
Gazeta ka siguruar një vendim të Komisionit për Ankesa në MAP, sipas të cilit me konkursin e shpallur kjo Ministri ia ka mohuar në mënyrë ta padrejtë kryeinspektorit aktual Lulzim Sylës të drejtën për vazhdim të mandatit edhe për tre vjet.
Ky vendim erdhi pas një ankese të Sylës të ushtruar në MAP kundër konkursit të shpallur.
“Anulohet konkursi i shpallur më datën 14.11.2017, nga Ministria e Administratës Publike për pozitën ‘Kryeinspektor i Inspektoratit të Tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë’”, thuhet në vendimin e datës 24 nëntor të 2017-s të Komisionit për Ankesa për pozita të larta drejtuese.
