Aktuale
Lokacioni i deponisë së mbeturinave në Harilaç, vazhdon të jetë problem kyç

Shpimet gjeologjike janë të vetmet punime që janë kryer brenda një viti, në lokacionin e planifikuar për ndërtimin e deponisë së mbeturinave, në Harilaq të Fushë Kosovës.
Kjo ngase eufemizmit të Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, se kjo deponi për magazinimin e mbeturinave dhe materialeve të rrezikshme nuk paraqet rrezik për banorët, i ishin përplasur para fytyrës të gjitha dyert, si nga banorët ashtu edhe nga komuna e Fushë-Kosovës.
E Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) nuk po i ndalë takimet për t’i dalë në krye kësaj çështjeje. Një i tillë do të mbahet nesër 11:00. Kështu është bërë e ditur për Ndërtimi.info nga kjo ministri.
Nëse lokacioni i caktuar nga Qeveria e Kosovës vazhdon të kosiderohet si opsion për krijimin e kësaj deponie sërish Komuna e Fushë-Kosovës do të kundërshtojë fuqishëm.
Këtë gjë e ka konfirmuar për Ndërtimi.info, zëdhënësi i Komunës së Fushë-Kosovës, Ali Topalli.
“Ne vazhdojmë ta kundërshtojmë fuqishëm këtë ide dhe do të jemi kundër deri në fund”, është shprehur Topalli.
Qëndrimeve të tij vazhdon t’i mbetet prapa edhe aktori Jeton Zogiani, i cili ka qenë ndër banorët më të zëshëm të kundërshtimit të këtij vendimi.
“Nëse vazhdohet me idenë për ndërtimin e objektit në loakcionin e planifikuar, kemi me qenë kundër deri në frymën e fundit”, është shprehur Zogiani për Ndërtimi.info.
Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 29 maj kishte marrë vendim për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme në Kosovë.
Ky projekt i financuar nga Komisioni Evropian kap vlerën mbi 12 milionë euro.
“Lejohet lokacioni për magazinimin e mbeturinave dhe materialeve të rrezikshme në Komunën e Fushë– Kosovës, Komuna Kadastrale Harilaq me parcelat kadastrale në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës”, thuhej në vendimin e Qeverisë.
E në kërkesën e Kryetarit të Komunës së Fushë-Koosvës adresuar Kryeministrit Haradinaj thuhej se pranë lokacionit të paraparë për deponinë e mbeturinave gjendet një zonë turistike “Kalaja e Harilaçit” dhe Stadiumi i ardhshëm Kombëtar, të cilat ndër tjera do të ishin arsye shtesë për rishikimin e perzgjedhjes së lokacionit.
Banorët madje kishin paralajmëruar edhe protesta për ta kundërshtuar këtë ide./Ndërtimi.info/
