Aktuale
Lluka: S’ka buxhet për shpronësimin në Hade

Qeveria e Kosovës nuk po ka buxhet për shpronësimin e fshatit Hade të Obiliqit, kështu ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në Komisionin për të Drejtat e Njeriut.
Se tani është bërë shpronësimi i familjeve të Shipitullës, ai po ka arsyetim. Sipas tij, rasti i Shipitullës ishte më ndryshe për të cilin është dashur intervenim urgjent, për shkak të krizës energjetike.
“Nuk ka buxhet për shpronësim në Hade. Banka Botërore parasheh që çdo shpronësim të bëhet me marrëveshje. Shipitulla ka qenë një rast më unik, sepse ka qenë krizë energjetike. Ka qenë çështje javësh, sepse kemi qenë në kolaps energjetik. Nuk pres që e njëjta gjë të ndodhë edhe në Hade.
Kurse për ndërtimet që po bëhen atje, të cilat janë të ndaluar pasi që është shpall zonë me interes të veçantë, Lluka thotë të kenë krijuar një task forcë e cila do të merret me ndërtimet pa leje.
“Ne e kemi krijuar një task forcë për trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe ajo është në funksion dhe janë të angazhuar t’i ndalin ndërtimet pa leje”, tha Lluka.
Në takimin e inicuar nga Avokati i Popullit për të diskutuar rreth çështjes së banorëve të Hadë, Lluka theksoi se janë afër gjetjes së zgjidhjes për minierën e thëngjillit në fshatin Hade.
“Ne kemi parë sfidën kur kemi qenë para një kolapsi energjetik. Projekti i Kosovës së Re parasheh një minierë të re për të siguruar thëngjill për 40 vitet e ardhshme. KEK-u ka angazhuar një kompani konsulente gjermane, ku na tregon anët negative dhe pozitive ku të marrim thëngjill. Secili opsion që merret, shikohet pakti social dhe ambientalist. Ne morëm vendim që ta krijojmë një grup profesional dhe të merret vendim se nga të shkohet. Në kohë afatgjate, Hadja nuk e ka vendin aty sepse është me thëngjill dhe nuk është e shëndetshme të jetohet aty.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka ngre alarmin, duke thënë se po shkelen të drejtat e banorëve, prandaj ka kërkuar zgjidhje të shpejt.
“Si avokat i popullit, e kemi ngritur një shqetësim për fshatrat Hade dhe Shipitullë. Situata në terren dhe të drejtat e banorëve nuk janë në rregull. E shoh që nuk ka ndonjë lëvizje në këtë drejtim. Banorët konsiderojnë se kanë mbetur me një oazë. Kjo vonese, nga viti 2004 e deri tash, ka ngritur koston e shpronësimit të banorëve. Nëse vazhdon të ketë vonesa të tilla, do të ndikojë negativisht në anë ekonomike”.
Zëvendësministri i Financave, Mustafë Grainca, nga ana tjetër, tha se po presin vendimin dhe në përputhje me të do ta japin zgjidhjen më të mirë.
“Ne si ministri jemi në pritje të një vendimi të drejtë për këtë çështje dhe konform kësaj do të gjejmë një zgjidhje adekuate për qytetarët e Kosovës”.
Ndërsa, gjitha rekomandimet që janë nxjerrë për banorët e Hadës po del të mbetën vetëm në letra dhe asnjëherë të implementuar, kështu ka thënë, përfaqësuesi i fshatit Hade, Ragip Grajçevci.
“Ne kemi nxjerr disa rekomandime mirëpo asgjë nuk është zbatuar. Nuk e di a jemi pengese apo jemi pjesë e procesit të zhvillimit të energjisë elektrike. Ne jemi të parët që përballemi probleme, mirëpo të fundit që pyetemi. Ju lutem, ndajeni termin zgjidhje për Hade dhe Shipitullë, sepse për Hade nuk është bërë zgjidhje”, ka thënë Grajçevci.
Megjithatë, Lluka deklaronte se është bërë zgjidhje për minierën gjë për të cilën pati reagim nga përfaqësuesi i fshatit Hade.
Grajçevci tha se zgjidhja për minerën është bërë por jo edhe zgjidhja për banorët të cilët po i vuajnë pasojat të parët por po pyetën të fundit.
