Aktuale
Lladrovci akuzohet për dallavere me rrugën Skenderaj-Drenas-Komoran, kërkohet tërheqja e Bekim Jasharit

Asamblisti në Kuvendin Komunatl të Drenasit, Xhavit Drenori ka dal kundër marrëveshjes së nënshkruar mes kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz lladrofci dhe ai i Skenderajt, Bekim Jashari për vazhdimin e asfaltimit të rrugës me katër korsi, Skenderaj-Drenas-Komoran, shkruan Ndërtimi.info.
Ai, është drejtuar me një letër kryetaritë të Skenderajt, Bekim Jasharit që të heq dorë nga kjo marrëveshje që sipas tij e zgjatë rrugën për 15 kilometra.
Sipas Drenorit, kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci ka bërë dallavere që ta devijojë trasenë dhe të kalojë Klinë e Epërme–Skenderaj–Drenas–Komoran.
E gjithë kjo sipas Drenorit është bërë me qëllim të ofrimit të rrugës afër pronave të tij private që kishte blerë nga një qytetar që ky i fundit i kishte privatizuar nga AKP-ja në fshatin ndërmjet Drenasit dhe Komoranit.
Drenori tutje thekson se ky variant është bërë në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe ish-kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtakun.
Për të kundërshtuar këtë projekt, asamblisti në Kuvendin Komunal të Drenasit, ka thënë se do të mbledhin nënshkrime edhe nga banorët që të dëshmohet se varianti Klinë e Epërme – Skenderaj – Drenas – Kroi i Mbretit dhe jo ai Klinë e Epërme–Skenderaj–Drenas–Komoran.
Ai, ka numëruar edhe disa arsye në të cilat e mbështet kundërshtimin e variantit aktual të rrugës Skenderaj-Drenas-Komoran
Më poshtë gjeni letrën e plotë të xhavit Drenorit drejtuar kryetarit të Skenderajt, Bekim Jashari.
Letër e hapur Kryetarit të Komunës së Skenderajt, z. Bekim Jashari
Shumë i nderuar Kryetar i Komunës së Skenderajt, z. Bekim Jashari,
Mora shkas nga deklarata e Juaj dje me rastin e vizitës së Ministrit të Infrastrukturës, z. Pal Lekaj dhe nënshkrimin e marrëveshjes nga ana e Juaj dhe homologut të Juaj nga Komuna e Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, për vazhdimin e asfaltimit të rrugës me katër korsi, Skenderaj-Drenas-Komoran.
Me 10 janar 2018 ju pata drejtuar me një kërkesë për takim, përmes e-mail zyrtar (foto 1 e bashkangjitur me këtë postim) për t’ju sqaruar rreth fakteve që kisha mbledhur rreth dallavereve që z. Lladrovci po përpiqet t’i bëj duke devijuar trasenë me katër korsi nga, drejtimi: Klinë e Epërme–Skenderaj–Drenas–Kroi i Mbretit, drejtim ky i rekomanduar nga Kompania projektuese “Infratek”, e kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës (Foto 2 e bashkangjitur me këtë postim) dhe miratuar nga Komisioni përkatës i po kësaj Ministrie si varianti më i favorshëm (Foto 3 e bashkangjitur më këtë postim), në drejtimin: Klinë e Epërme–Skenderaj–Drenas–Komoran, me qellim të ofrimit të rrugës afër pronave të tij private që kishte blerë nga një qytetar që ky i fundit i kishte privatizuar nga AKP-ja në fshatin ndërmjet Drenasit dhe Komoranit.
Të ju përkujtoj z. Jashari,
Kompania projektuese “Infratek”, e kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës në vitin 2014 (Foto 2 e bashkangjitur me këtë postim) ishte paguar nga taksapaguesit tanë në vlerë prej 33,524.00 euro dhe kishte rekomanduar variantin më të lirë dhe të përshtatshëm për ndërtimin e trasesë me katër korsi, e cila ishte edhe në përputhje të plotë edhe me kërkesën e ish Kryetarit të Komunës së Drenasit, z. Nexhat Demaku dhe ish Nënkryetarit të Komunës së Skenderajt, z. Fadil Nura (Foto 4 e bashkangjitur me këtë postim), meqë ky variant do të shkurton gjatësinë Skenderaj-Prishtinë (rreth 15 kilometra vajtje –ardhje në krahasim me variantin që dëshiron të realizoj z. Lladrovci).
- Jashari,
Është në dorën e Juaj vendimi, se a dëshironi që qytetarëve të Skenderajt (punëtorë e studentë që udhëtojnë për çdo ditë nga Skenderaj për në Prishtinë dha anasjelltas) t’ju shkaktoni rreth 15 kilometra rrugë më shumë apo më pak?! Prandaj ju lutemi që të në bazë të argumenteve të faktuara dhe përgjegjësisë së Juaj, nga pozita e Kryetarit të Skenderajt për të përfaqësuar interesin e përgjithshëm të qytetarëve të Skenderajt, të hiqni dorë nga kjo marrëveshje e dëmshme për qytetarët e Komunës së Skenderajt dhe një pjesë të madhe të qytetarëve të Komunës së Drenasit dhe të kërkoni që traseja me katër korsi të vazhdoj sipas projektit të miratuar nga Ministria e Infrastrukturës, variant kjo që do të shkurtonte për rreth 15 kilometra rrugën Skenderaj-Prishtinë dhe anasjelltas.
Një numër i konsiderueshëm i Anëtarëve të Kuvendit Komunal në Drenas dhe shumë qytetarë të Komunës sonë tashme janë në dijeni rreth dallavereve rreth devijimit të trasesë me katër korsi, që Kryetari e Komunës së Drenasit, z. Lladrovci dëshiron të ndryshoj për interesa puro personale dhe së shpejti do fillojmë të mbledhim edhe nënshkrime nga banorët e të gjitha fshatrave që shtrihen ndërmjet Skenderajt dhe Drenasit për të dëshmuar se drejtimi/varianti: Klinë e Epërme – Skenderaj – Drenas – Kroi i Mbretit, është më i pranuari për ta dhe jo varianti i kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës nga Kryetari Lladrovci dhe ish Kryetari i Skenderajt, z. Sami Lushtaku, (kërkesa e dorëzuar në Ministri me datë 20.11.2017. Foto 5 e bashkangjitur me këtë postim), dhe për çudi që të dy këta ishin thirrur në kërkesën e banorëve të komunave reciproke pa mbajtur kurrë takim me ta rreth kësaj çështje.
Për ne në Komunën e Drenasit varianti i z. Lladrovci është i papranuar edhe për këto arsye:
- Zgjatë distancën e rrugës për rreth 15 kilometra Drenas-Prishtinë, vatje-ardhje. E më këtë edhe koston;
- Ndikon jashtëzakonisht negativisht në cilësinë e mjedisit (cilësinë e ajrit), meqë qarkullimi i mjeteve motorike i ofrohet qendrës së qytetit;
- Detyron makinerinë e rënde të fabrikës së Feronikelit që t’i ofrohet qendrës së qytetit (zhurma, dëmtimi i mjedisit);
- Detyron të gjitha mjetet e transportit që lëvizin për në Komoran që nga katër korsi të kalojnë mbi urën/mbikalimin në Komoran, sado që një i tillë sipas eksperteve të komunikacionit nuk i plotëson as për se afërmi kriteret;
- E futë Komunën tonë në probleme jashtëzakonisht të mëdha / të përballueshme financiare për kompensimin e dëmit për banorët e fshatrave Korroticë e Epërme, Vasilevë dhe Poklek i Vjetër, meqë projekti i trasesë Kroi i Mbretit – Drenas tashmë ka filluar dhe punimet kanë prekur një numër të madh të pronave private dhe nëse veç traseja devijohet në drejtimin e kërkuar nga z. Lladrovci, Ministria nuk do të paguaj dëmet e pronave private në fshatrat e lartshënuara dhe kjo barrë do të bije mbi komunën tonë (taksapaguesit e varfër të komunës sonë).
- Jashari,
Mbesim me shpresën që do ta rishqyrtoni vendimin/marrëveshjen e Juaj në lidhje me këtë çështje dhe ju lutemi që për çdo informatë shtesë të na kontaktoni pa hezitim.
Me nderime
Xhavit Drenori
