Arkitekturë
Liridona Blakaj, arkitektja e re që ka gati zgjidhjen për Tregun e Gjelbër në Prishtinë
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/12/tregu.jpg)
Është njëri nga vendet që për vite të tëra është destinacion i mijëra njerëzve që kryejnë shitblerje. Mirëpo, ambienti i Tregut të Gjelbër në kryeqytet nuk është në nivelin e duhur. Tezga të improvizuara, ushqime e mallra të ndryshme mund t’i gjesh të ekspozuara në hapësirat e këtij tregu.
Agnesa Sejdiu
Të gjithë këtë katrahurë në treg, është munduar ta zgjidhë Liridona Blakaj. Ajo është arkitekte e diplomuar në master në Univeristetin Polis në Tiranë. Duke parë gjendjen e rëndë të këtij tregu Liridona Blakaj ka ideuar një projekt për ndërtimin e tij, e që nga aktuali do të mbetej vetëm vendi.
Këtë projekt të bërë për qëllimin e mbrojtjes së temës së diplomës, ajo ka vendosur ta propozojë edhe në Komunën e Prishtinës.
Gjatë procesit të punimit të projektit, i cili ka zgjatur diku rreth gjashtë muaj, Blakaj për Ndërtimi.info tregon se ka hasur në vështirësi të shumta si pasojë e mungesës së informacioneve rreth pjesës historike të qytetit, e veçanërisht rreth Tregut të Gjelbër.
Ajo, gjithashtu thotë se pa marrë parasysh intervistave dhe takimeve me persona kompetentë, asnjëherë nuk ka marrë përgjigje të plota si pasojë e mungesës së një rregulloreje për trajtimin e Qendrës Historike. Ajo thotë se arsyeja e trajtimit të kësaj teme ka qenë anashkalimi i trajtimit të saj.
Duke folur rreth idesë së projektit ajo thotë se do të ishte shumë funksional dhe atraktiv duke u bërë edhe një pikë referimi për qytetin, gjë e cila sipas saj do të tërhiqte më shumë vizitorë dhe turistë.
“Hapësira ndahet në dy vija të cilat paraqesin dy ambiente të ndryshme. Vija e parë është një hapësirë më e qetë dhe e rregullt e cila është krijuar për banorët përreth dhe të shpie në disa rampa të cilat të çojnë në kulmet e strukturës së tregut. Secili nga këto kulme ka funksione të ndryshme; i pari është kopsht, i dyti amfiteatër i vogël, i treti është kënd i lojërave për fëmijë dhe i fundit është një shesh i vogël. Në anën tjetër të këtyre strukturave është vija e dytë e cila paraqet një situatë më kaotike. Në këtë pjesë ndodh qarkullimi i njerëzve dhe procesi i tregtisë mes tregtarëve dhe konsumatorëve“, ka shpjeguar ajo.
Blakaj ka menduar që tezgat e shitësve të jenë më funksionale se ato aktualet si dhe hapësirën e tregut ta ndajë në pesë fragmente.
“Hapësira e brendshme e tregut është dizajnuar të jetë fleksibile, tezgat janë transformuar në panele rrëshqitëse që të ju lejojnë shitësve të krijojnë vetë hapësirat e tyre. Këto panele kane sisteme të ndryshme në të gjitha segmentet e tregut duke mundësuar kështu që hapësira në tërësi të përjetohet ndryshe në secilën pjesë. Në përgjithësi tregu ndahet në pesë fragmente: tregu i hapur, këndi i ushqimit, tregu i arteve dhe zanateve, tregu i veshmbathjeve dhe tregu i ushqimit. Të gjitha këto njësi janë projektuar të lidhen me njëra tjetrën, me objektet përreth si dhe me morfologjinë e qytetit në përgjithësi. Ky projekt synon t’i japë jetë këtij vendi, të ja kthejë shpirtin e mbetur në kujtimet e së kaluarës”, ka treguar arkitektja e re.
Sipas saj, ky projekt-propozim mund të përmirësojë dukshëm jetën e qytetarëve të asaj zone, të tregtarëve dhe konsumatorëve. I cilësuar si një projekt me një kosto jo të madhe dhe lehtësisht i realizueshëm, ai parashihet të ndërtohet nga materiale prej druri duke përfshirë tezgat dhe detaje të tjera të hapësirave të brendshme.
Për projektin e punuar në bashkëpunim më mentorin e saj profesorin italian Loris Rossi, arkitektja Blakaj thotë se së fundi ka kontaktuar me zyrtarë të Komunës së Prishtinës, në lidhje me mundësinë e prezantimit të tij që të shihet se nëse është i mundur realizimi./ndertimi.info/
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)