Aktuale
Linja hekurudhore Kosovë-Serbi, Lekaj jep detaje të negociatave në Berlin
Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, ka dhënë detaje të takimit që u zhvillua sot në Berlin, ku u negociua për detajet e marrëveshjes për të hapur trafikun hekurudhor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka bërë të ditur se në lidhje me këtë marrëveshje paraprakisht do të përpilohet një shkresë tjetër.
“Takimi ka qenë shumë i mirë, shumë përmbajtjesor. Janë dakorduar që në ditët ën vijim të përpilohet një letër-qëllimi, ku do t’i përafron shumë normalizimin e hapësirës tokësore dhe Kosovën e bënë pjesë të rrjetit PAN evropian”, ka thënë ai.
Lekaj për Klan Kosova ka thënë se në takimin e organizuar nga ambasadori Richard Grenell, është diskutuar edhe për autostradën Prishtinë-Merdare.
“Mund të iu them që sot është diskutuar edhe për Autostradën Prishtinë-Merdare dhe gjatë kësaj autostrade të përshkohet edhe hekurudha, që në të ardhmen ne t’i kryejmë obligimet dhe të kemi një lidhje Prishtinë – Merdare – Nish dhe Nish e deri në shtetet e Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.
Kujtojmë se pjesë përbërëse e delegacionit kosovar në Berlin ishin: Xhemë Veseli, drejtor i Transportit Rrugor dhe Ramë Qupeva, drejtor i Infrastrukturës Rrugore.
“Ndonëse institucionet tona janë të gatshme në vazhdimësi për kontribut në stabilitet dhe fqinjësi të mirë, theksojmë se çfarëdo marrëveshje që do të arrihet do të jetë vetëm sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Lekaj.