Aktuale
Limaj: Do të krenohemi me projektin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

Komisioni ndërministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz sot ka mbajtur takim e parë, me qëllim që t’i jap udhë intervenimit për mbrojtjen e këtij kompleksi, i cili ka pësuar dëmtime e veçanërisht kullat, të cilat rrezikohen të rrëzohen, shkruan Ndërtimi.info.
Kryesuesi i këtij komitetit, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, u shpreh i bindur që kompleksi do të trajtohet në mënyrën e duhur dhe se përfundimi i projektit do të jetë për tu krenuar.
“Nuk ka gjë më të rëndësishme për ne si trashëgimi jona historike se sa Kompleksi Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz. Ne duhet të ia japin vendin që i takon. Qeveria është e vendosur që sa më shpjet ta përmbyllim këtë temë. Iu siguroj që të gjithë do të ndihemi krenar kur të përfundojmë këtë projekt. Është punë komplekse, punë e madhe, por përkushtimi jonë është i vendosur që t’i shkojmë deri në fund që të nxjerrim një projekt si e meriton. Projekti kur do të përfundojë do të jetë i shenjtë për ne”, tha ai.
Tutje, Limaj derisa përmendi se është punuar edhe më herët në këtë kompleks, theksoi se është koha që kjo çështje të përmbyllet.
“Atje është punuar për vite të tëra nga qeveritë e kaluara. Por, jemi në situatë kur kjo duhet të përmbyllet dhe të shikohet puna që është bërë dhe ajo që duhet bërë rishtazi. Jemi në fazë që këtë fazë ta përmbyllim njëherë e mirë”, shtoi ai.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Drenasit, njëherësh edhe anëtar i komitetit, Bekim Jashari, përmendi se deri në vitin 2010 janë investuar rreth 7 milionë euro dhe se intervenimi do të bëhej edhe nëse ai nuk do të drejtonte Komunën e Drenasit.
“Nuk është që nuk është investuar në atë vend. Që nga vitit 2005 deri në vitin 2010 është investuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor pastaj nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale. Rreth 7 milionë janë investua në atë kompleksi. Por, konservimi ka qenë delikat për neve vendore. Nuk besoj që ka të bëjë me mua si kryetar, po të isha apo jo. Kam thënë me miratim të ligjit që janë i bindur që Qeveria do të nis punën dhe kështu ndodhi”, tha ai.
Ai, u shpreh i sigurt se në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” do të bëhet një punë e mirë, ashtu siç e meriton ai vend.
Ndryshe, vitin e kaluar, pas raportimeve të vazhdueshme në lidhje me gjendjen e rëndë të kullave në këtë kompleks, u ngrit alarm për intervenim për restaurim dhe konservim. / Ndërtimi.info/
