Aktuale
“Lidhja e Prizrenit”, shkolla ikonike e Pejës pret renovimin këtë verë
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/l7.jpg)
Njëra ndër shkollat më ikonike të Pejës, është ajo e “Lidhjes së Prizrenit” e cila ekziston tash e 77 vite.
Derisa kësaj shkolle i shtohen vitet, i shtohet edhe nevoja për restaurim, për të cilën gjë deri tani nuk është bërë ndonjë hap konkret. Renovimi i këtij objekti ka qenë një kërkesë e kahmotshme e drejtorisë së kësaj shkolleje, por edhe e stafit dhe prindërve të nxënësve.
E për këtë Komuna e Pejës po premton që do të bëjë zgjidhje duke thënë se do ta bëjnë renovimin e shkollës në këtë verë.
Ky lajm për Ndërtimi.info është bërë i ditur nga Drejtori i kësaj shkolle, Valdrin Husaj.
Husaj ka theksuar se përveç renovimit të gjitha intervenimet që do të bëhen do të jenë në përputhje me strukturën parësore të këtij objekti.
“Sipas konsultave që i kemi pasë me zyrtarët e komunës, jemi vesh që gjatë sezonës së verës të intervenohet në shkollën tonë, në vendet ku ka nevojë. Kjo do të bëhet nga vlerësimi i arkitektëve dhe njërzve kompetent dhe cdo herë duhet me pasë parasysh se ky objekt është i vjetër dhe nuk guxon shumë me e humb atë arkitekturën e vjetër që e ka pasur. Të gjitha këto renovime që duhet të bëhen duhet të jenë shumë të kujdesshme sepse ka mundësi me e humbë atë strukturën që e ka pasë”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, në këtë ndërtesë deri tani “disa herë janë bërë renovime, por objekti është i vjetër dhe prap ka nevojë për renovime të tjera”.
Mungesa e restaurimit në këtë objekt ishte thënë të ketë sjellë probleme tjera.
Në këtë shkollë ishte thënë se shfaqen minj e insekte për shkak të vjetërsisë së objektit dhe se nxënësitë e kanë të vështirë të zhvillojnë procesin mësimor. Por, një gjë e tillë është mohuar nga drejtori.
Husaj ka bërë të ditur se gjatë stinës së pranverës janë shfaqur insekte për të cilat janë marrë masa të menjëhershme.
“Stina e pranverës i ka sjellë disa inskete dhe ato menjëherë gjatë vikendit i kemi dezinsektu dhe i kemi largu. Është ndërru ajo pjesë që ka qenë e vjetër dhe e kemi zëvendësuar me një pjesë tjetër dhe i kemi largu insektet”, ka potencuar i pari kësaj shkolleje.
Husaj gjithashtu bëri të ditur se për shkak se ky problem ka qenë i vogël e lehtësisht i zgjidhshëm nuk kishte pasur nevojë që të ndërpritet procesi mësimorë për asnjë ditë të vetme./Ndërtimi.info/
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)