Aktuale
Letra e ICOMOS-it zbut synimet për rrënimin e ish-“Gërmisë”

Komuna e Prishtinës ka zbutur gjuhën në raport me ish-ndërtesën e “Gërmisë” në Prishtinë. Më nuk është e prerë në atë se monumenti nuk posedon vlera dhe se duhet të rrënohet për të ndërtuar sallën koncertale. Tri ditë pasi në adresë të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka arritur letra e Këshillit Ndërkombëtar për Monumente dhe Lokalitete (ICOMOS), se monumenti duhet të ruhet, Komuna ka ndryshuar qasje të paktën deklarativisht. E sipas Ministrisë së Kulturës, ICOMOS-i ka këshilluar ashtu siç mendon të veprojë edhe ky institucion.
Komuna synonte që ish-ndërtesa e “Gërmisë” e shpallur monument në tetor të vitit të kaluar të zëvendësohej me sallën koncertale, për të cilën janë zotuar 15.4 milionë euro nga Këshilli i Evropës në kuadër të fondeve IPA, shkruan sot Koha Ditore.
Pikërisht nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, i cili kishte thënë se monumenti nuk posedon vlera, të mërkurën, ka thënë se si Komunë i mirëpresin këshillat nga kushdo, sidomos nga institucionet kredibile që janë më të lartat sa u përket këshillave për trashëgimi kulturore.
Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, e ka parë ndryshe letrën e ICOMOS-it. “Është në përputhje me vendimin tonë për ruajtjen e monumentit dhe në përputhje me objektivat e qëndrimet tona”, ka thënë ministri Gashi.
Zyra e kryeministrit nuk e ka komentuar letrën e ICOMOS-sit. Nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës. Thjesht është thënë se janë nën presion të humbjes së 15.4 milionë eurove.
Shkresa e ICOMOS-it, të hënën, ka arritur në adresë të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe dy zyrtarëve të tjerë në stafin e Zyrës së BE-së në Kosovë.
“’Gërmia’ ishte dyqani i parë që do të ndërtohej në atë periudhë dhe përfshinte shkallët e para lëvizëse në qytet, që ishte një risi e vërtetë. ‘Gërmia’ përfaqëson një nga ndërtesat më të rëndësishme të Prishtinës të ndërtuara gjatë viteve të pasluftës (Luftës së Dytë Botërore v.j.). Është një nga shembujt e mbetur të trashëgimisë moderne të qytetit dhe është shumë domethënës për vlerat arkitektonike dhe sociale të saj. Duhet të ruhet”, shkruhet në këtë letër.
