Aktuale
Lëshohet në qarkullim segmenti i dytë i autostradës Prishtinë-Pejë

Segmenti i dytë i autostradës Prishtinë- Pejë, me gjatësi 3,5 kilometra është lëshuar sot në qarkullim.
Përurimin e këtij segmenti e bënë ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ministrja e Mjedisit, Albena Reshitaj dhe kryetari i Malishevës, Ragip Begaj.
Ky segment u konsiderua i rëndësisë së veçantë për të gjithë qytetarët.
Derisa tha se janë dashur më shumë se 1 vit për shpronësim për këtë rrugë, ministri Lekaj, premtoi se më nuk do të zgjaten projektet e tilla.
“Kemi pritur për 16 muaj vetëm për një vendim të shpronësimit që nuk është marrë nga qeveria e kaluar. Iu them qytetarëve që do të jemi të saktë në realizimin e premtimeve. Tani e kemi një standard të ri të punishtet e autostradave dhe nuk do të lejojmë që për faj tonin të stërzgjaten projektet”, tha Lekaj.
Edhe ministrja Reshitaj është shprehur se më nuk do të lejohet zgjatja e panevojshme e procedurave.
“Të gjithë e dimë rëndësinë që ka ndërtimi i rrugëve në vendin tonë. Nuk jemi vend shumë i madh dhe nuk duhet të lejojmë prolongimin e panevojshëm të procedurave të ndryshme siç ka qenë edhe shpronësimi. Ne duhet të ecim me hapa të shpejtë dhe e konsideroj si të rëndësishëm ndërtimin e rrugëve nëpër të gjithë territorin e Kosovës, sepse ne bashkojmë fshatra, rajone, komuna, dhe kjo është në interes të qytetarëve”, theksoi Reshitaj.
Projekti i autostradës Prishtinë-Pejë, ka nisur në vitin 2012, e që deri më tani janë të përfunduara 3.3 kilometra. Ndërsa vlera e këtij projekti arrin deri në 5 milion e 900 mijë euro.
