Aktuale
Lekaj:Rruga Rajonale, segmenti Komoran-Marinë do të ketë katër korsi

Në fshatin Polluzhë sot është bërë inaugurimi i punimeve për zgjerimin e 17 kilometra të Rrugës Rajonale R102, Komoran-Skenderaj, Segmenti Komoran-Marinë” . Kjo rrugë do të kushtojë rreth 7 milionë euro.
I pari i Ministrisë së Infrastrukturës Pal Lekaj gjatë inaugurimit të punimeve në këtë rrugë është shprehur që Drenica gradualisht po kompletohet me infrastrukturë moderne.
Ai ka garantuar banorët e asaj ane se nuk do të jetë vetëm ky projekti për atë pjesë por që do të vazhdojnë ta trajtojë me prioritet mundësinë edhe për investime të reja, duke theksuar rrugën nga Feronikeli e cila lidhet me Autoudhën Prishtinë-Pejë, e gjatë rreth 6 kilometra te Kroi i Mbretit.
“I garantoj qytetarët e kësaj ane se nuk do të ndalemi me kaq, por do të vazhdojmë ta trajtojmë me prioritet mundësinë edhe për investime të tjera, siç është rruga nga Feronikeli e që lidhet me Autoudhën Prishtinë-Pejë, e gjatë rreth 6 kilometra te Kroi i Mbretit. Këto investime e bëjnë të mundur lidhjen e Drenicës me zonat e tjera, qofshin ato rurale apo urbane, e pse jo edhe me korridore. Krejt kjo për të mundësuar lëvizjen e lirë për njerëz dhe mallrat e tyre, e rrjedhimisht për të lehtësuar zhvillimin e biznesit dhe përgjithësisht zhvillimin ekonomik, jo vetëm të Drenicës por për krejt Kosovën”, tha ministri Lekaj.
Rruga Rajonale segmenti Komoran-Marinë do të ketë katër korsi dhe siç thotë Lekaj do të ketë të gjitha elementet e tjera përcjellës sipas standardeve të kërkuara të kohës. Rruga 7 kilometërshe do të kushtojë rreth 7 milionë euro.
“Kjo rrugë do t’i ketë katër korsi dhe të gjitha elementet tjera përcjellëse sipas standardeve të kërkuara të kohës, e buxhetuar me rreth 7 milionë euro. Kompanive që do ta ndërtojnë ua bëjmë të kjartë se do të jemi vëmendshëm për të mos patur vonesa në implementim të kontratave dhe që të mos ketë zgjatje e tejkalim të afateve për përfundimin e punimeve dhe besojmë që para dimrit të vitit të ardhshëm ne do të jemi sërish bashkë këtu për të bërë përurimin e kësaj rruge shumë të rëndësishme për rajonin e Drenicës. Drenicë faleminderit për pritje!”, tregoi Lekaj.
Me këtë rast të pranishmëve me fjalë rasti iu drejtuan edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci dhe Kryetari i Skenderajt Bekim Jashari, të cilët pohuan rëndësinë e kësaj rruge për Drenicën dhe pelegrinazhet e Prekazit, që kalojnë nëpër këtë rrugë.
