Aktuale
Lekaj-Zharkut: Për 6 shtylla nuk keni mundur tre vite me vazhdu projektin Kijevë-Zahaq

Kuvendi ka diskutuar sot Projektligjin mbi ndarjen buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2019. Në mesin e shumë kritikave nga deputetët e opozitës, kritika erdhi edhe nga ish-ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku, tani deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës se janë tre projekte kapitale rrugorë që janë përfshirë në buxhet por që nuk kanë mjetet buxhetore të ndara për 2019-ën.
E që sipas tij ekzistojnë investime që dominojnë plotësisht nga projektet e filluar vitet e kaluara. Por që për gjitha këto nuk heshti Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj.
“Janë tri projekte kapitale rrugore që janë përfshirë në buxhet por që nuk kanë mjete buxhetore të ndara në vitin 2019. Është zgjerimi i rrugës rajonale Pejë-Deçan, është rehabilitimi i rrugës Kijevë-Malishevë dhe rehabilitimi i rrugës rajonale Pejë-Kuqishtë që nuk kanë fare buxhet për vitin 2019. E kjo nuk është gjë tjetër por doket se qeveria po na qon një mesazh apo një dëshmi që ky është buxheti i fundit që i paraqesin këtij kuvendi prandaj po mundohen ta zaptojnë buxhet edhe për vite tjera derisa janë në pushtet”, tha Zharku, shkruan Ndërtimi.info
Por që një gjë të tillë nxiti edhe reagimin e ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj. Ai nga foltorja e Kuvendit të Kosovës tha se për rrugën Kijevë-Zahaq për vetëm 6 shtylla për tre vite nuk kanë mundur qeverisja e Zharkut të vazhdojnë projektin.
“Për rrugën Kijevë-Zahaq tre vite për 6 shtylla nuk kanë mund me vazhdu projektin. Merren buxhetin sa i përket implementimin apo mbështetjes financiare nga BERZH apo IBF shiheni, për tre vite ka qenë turp që nuk keni filluar asnjë lëvizje. Shihe tash ku kemi mbërri. Merrne autostradën për Mitrovicë. Për tre vite ka qenë një marrëveshje nga Kuvendi i miratuar dhe nuk keni lëviz fare, por tani kanë lëviz gjërat dhe më vjen shumë mirë që edhe segmenti i dytë po fillon. Dhe për herë të parë kemi filluar t’i shpenzojmë paratë e huamarrjes që kanë fjetur në buxhetin e Kosovës. 198 projekte janë duke u zhvilluar në infrastrukturë dhe tani mund të themi nëse doni merrne shkurtoni krejt ose doni qitni edhe 100 milionë edhe ua përmbushim krejt kërkesat e juaja”, është kundërpërgjigjur Lekaj.
Sa i përket rrugëve Zharku ka theksuar se investimet dominojnë nga projektet e filluara nga vitet e kaluara. Madje ai ka thënë se buxheti i ndarë për projektet e caktuara kapitale nuk është në përputhje me zotimet publike të Qeverisë.
“Kur jemi te rrugët duhet të theksohet se këto investime dominojnë plotësisht nga projektet e filluar nga vitet e kaluara. Megjithatë, duhet të theksohet se buxheti i ndarë në projektet e caktuara kapitale nuk është në përputhje me zotimet publike nga Qeveria”, tha Zharku.
Zharku është shprehur po ashtu se Autostrada Prishtinë-Gjilan nuk do të kryhet në 2020 dhe se pjesa Gjilan-Dheu i Bardhë nuk është përfshirë në buxhet. Sipas Zharkut situata e njëjtë është edhe me zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë.
“Kështu Autostrada Prishtinë Gjilan jo që nuk do të kryhet në vitin 2020 por vazhdon në vitin 2021 kurse pjesa Gjilan-Dheu i Bardhë as nuk është përfshirë në buxhet. E njëjta situatë është me zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë ku në vitin e ardhshëm janë prapë vetëm 2 milionë euro e që bie më pak se 2 kilometra”, shprehet deputeti Zharku.
As kjo nuk kaloi pa reagimin e Lekajt. Ky i fundit është shprehur se buxhetin i ndarë për infrastrukturës i plotëson të gjitha kërkesat e qytetarëve dhe se për herë të parë në historinë e Kosovës ka filluar ndërtimi i 6 autostradave.
“Mendoj që buxheti të cilin e ka ndarë Qeveria e Kosovës që e ka ndarë për infrastrukturë i përmbush të gjitha kërkesat e qytetarëve pa dallime. Më çuditë fakti që shumë deputetë këtu e përmendin jo në këtë komunë përqindja a është kaq, e atje kaq. Dhe më vjen keq që nuk janë mirë të informuar apo fare nuk e kanë lexuar materialin për buxhet dhe mund të flasin në hapësirë që nuk iu takon. Ajo që mund të them është se shikoni projektet që prej kur kanë filluar prej vitit 2015 asnjë nuk ka përfunduar vetëm kanë bërë teori me buxhet apo poezi për buxhetin dhe asnjëherë nuk kanë qenë të saktë në implantimin e projekteve. Dhe tani që për herë të parë në historinë e Kosovës kanë filluar 6 autostrada. Nëse doni me sanksionu qytetarët, ju jeni deputetë dhe hiqeni krejt buxhetin për asfaltin. Dhe ajo që është ish-qeveria kam gjet autostrada që kushton 87 milionë me 1 milion euro dhe tani vini këtu e qani lot krokodili më duket që është e tepërt”, tha ai.
Kurse sa i përket Autostradës së Gjilanit, Lekaj ka theksuar se punët për ndërtimin e saj do të vazhdojnë.
“E keni përmend autostradën e Gjilanit, e kam gjet me 1 milion euro dhe keni thënë që nuk do të vazhdoj por është ka vazhdon dhe më vjen mirë për qytetarët e Anamoravës që do ta kenë një infrastrukturë moderne”, thekson Lekaj.
Veç kësaj Zharku ka folur edhe për kyçjen e Komunës së Vitisë dhe kyçjes së re të Ferizajt për në Autostradën “Arbën Xhaferi”. Për këtë ai tha se ose duhet të përfshihen në buxhet ose duhet të anulohet vendimi i komiteti ndërministror në mënyrë që mos të manipulohet me premtimet e kota.
“Përkundër premtimeve publike të anëtarëve të ndryshëm të kabinetit qeveritar prapë nuk është përfshirë në buxhet-projekt ndërtimi i kyçjeve të reja në Autostradën “Arbën Xhaferi” dhe për atë të Komunës Vitisë dhe kyçje e re për Ferizajn. Siç e di për këto dy kyçje ekziston vendimi i komisionit ndërministror nga qeveria e kaluar prandaj ju bëjë thirrje që këto dy projekte të përfshihen në buxhet ose të anulohet vendimi për këto kyçje në mënyrë që qytetarët e këtyre komunave të mos manipulohen me premtime të kota”, tha Zharku.
Edhe për këtë Lekaj është përgjigjur se është duke u bërë projekti dhe në momentin se kur të bëhet projekti atëherë do të vazhdohet me punën.
“Ne vetëm kemi marrë vendim në komitetin ndërministror për kyçje në Autostradë “Arbën Xhaferi” dhe mendoj sa i përket buxhetit është në 10 për qindëshin që do të përfshihet kyçja në Gërlic dhe në Ferizaj. Ne jemi duke i projektuar këto dy kyçje dhe pasi të jetë projekti i gatshëm ne do të fillojmë me punën”, tregoi Lekaj, raporton Ndërtimi.info
Ndëkohë që Ministri i Financave Bedri Hamza sot ka prezantuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Projektligjin mbi ndarjen buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019.
Ai ka thënë se sipas këtij projektligji, rritja ekonomike në terma real do të jetë 4.7 për qind, ndërsa në terma nominal do të jetë 5.4 për qind.
Më tutje, ai shtoi se inflacioni pritet të jetë pak mbi 1 për qind.
Ministri Hamza ka treguar se të hyrat buxhetore për vitin 2019 do të jenë 1 miliard e 940 milionë euro. Ai ka thënë se shpenzimet do të jenë 2 miliardë e 365 milionë euro për vitin 2019.
