Aktuale
Lekaj tregon sa punë është kryer në Autostradën e Gjilanit, s’ka përfunduar shpronësimi
Deri në fund të muajit tetor janë kryer 80% e punimeve tokësore si hapja e trasesë dhe punimi i mbushjes në autostradën Prishtinë-Gjilan, Dheu i Bardhë të njohur ndryshe si Autostrada “Agim Ramadani”.
Kjo gjë u bë e ditur nga Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Në një përgjigje për Indeksonline, Lekaj deklaroi se janë ndërtuar 28 struktura nga betoni (tri mbikalime për automjete, pesë nënkalime për automjete, 18 lëshesa pllakore, dy kolektorë dhe mbi 50% e mureve mbrojtëse me gabione.
Por pavarësisht këtyre punimeve që janë bërë deri më tani përfundimi i tërë kësaj pune varet nga punimet shtesë të cilat paraqiten deri në fund të projektit të cilat mund ta zgjatin afatin e parashikuar të realizimit të projektit.
Lidhur me realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm për lidhjen në mes kryeqytetit, Gjilanit dhe kufirit me Serbinë ende nuk është bërë shpronësimi i të gjithë banorëve.
“Procesi i shpronësimit ende nuk përfunduar, disa zona kadastrale që prek traseja e Autoudhës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë kanë vendime përfundimtare (një pjesë e banorëve të cilët kanë vendime përfundimtare ende nuk i është dhënë kompenzimi i mjeteve financiare) dhe disa zona të tjera kadastrale janë në pritje për tu nënshkruar vendimi përfundimtar në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor”, ka thënë Lekaj.
Tutje i njëjti bëri të ditur se sa i përket kompensimit të mjeteve financiare për shpronësim është kompetente Ministria e Ambientit dhe Planifikimit hapësinor-Departamenti i Shpronësimit.
“Vlera totale e gjithë projektit është 88,618,511.95Euro”,deklaroi Lekaj.
Ceremonia e inaugurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, Dheu i Bardhë u zhvillua me 15 prill, ndërsa kjo autostradë parashihet të jetë e gjatë 47.1 kilometra dhe me katër korsi, duke lidhur kështu korridorin 6.7 dhe 10.