Aktuale
Lekaj tregon që janë afër për të zgjedhur kompaninë që do të ndërtoj rrugën Prishtinë-Mitrovicë

I pari i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj ka takuar sot Fondin për Zhvillimi të Arabisë Saudite i kryesuar nga Abdullah Al-Shoaibi, në të cilin takim u bisedua për projektin e zgjerimit të rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë. Projekt ky i cili financohet nga ky fond.
Ministri Lekaj e informoi delegacionin me progresin e arritur deri tash në projektin për zgjerimin e rrugës nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë, duke i njoftuar ata se tashmë janë në përfundim procedurat e tenderimit dhe se punimet në përfundimin e këtij projekti pritet të fillojnë shumë shpejt.
Veç projektit të rrugës Prishtinë-Mitrovicë, Lekaj në këtë takim ka njoftuar mysafirët edhe me projektet tjera të cilat priten të realizohen nga ministria.
Ministri Lekaj dhe Al-Shoaibi u dakorduan që ky projekt të jetë vetëm fillimi dhe se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ku nga ana e Fondit për Zhvillim të Arabisë Saudite u shfaq gatishmëri për bashkëpunim edhe në projekte tjera, kurse nga ana e tij ministri Lekaj u premtoi atyre se do të ketë profesionalizëm, korrektësi, respektim afatesh dhe transparencë sikurse deri më tash edhe në projektet e ardhshme ku mund të ketë bashkëpunim.
Lekaj i ka informuar mysafirët edhe për projektet e mëdha që pritet të realizohen siç janë ai i “Autostradës së Dukagjinit”, “Autostrada Prishtinë-Merdare” e projekte të tjera që kanë ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve të vendit.
Al-Shoaibi duke e falënderuar ministrin Lekaj për mbështetjen dhe korrektësinë, ka thënë se janë të gatshëm që ta ndihmojnë Kosovën në çdo kohë dhe në të gjitha ato projekte që janë në të mirë të banorëve të Kosovës.
