Aktuale
Lekaj tregon kur do të implementohet projekti për zgjerimin e rrugës Prizren-Prevallë
Projektin e zgjerimit të rrugës Prizren-Prevallë e ka vizituar Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj. Lekaj ka premtuar se Ministria që ai drejton është e përkushtuar që ky projekt të nis në 2018-ën.
Por fillimisht ai ka deklaruar se duhet ta kenë projektin ideor dhe të detajuar në mënyrë që të vazhdohet edhe me implementimin e tij.
“Së pari falënderoj ministrin, zëvendësministrin, deputeten dhe të gjithë juve që sot bashkërisht kemi ardhur këtu për të vëzhguar nga afër një projekt kapital për zgjerimin e rrugës Prizren – Prevallë. Ne si ministri dhe unë si ministër personalisht, jemi zotuar që ky projekt të filloj në vitin 2018, pra kur edhe do të vihet gurthemeli, por fillimisht na duhet projekti ideor dhe projekti i detajuar që të vazhdohet edhe me implementimin e projektit si i tillë”, është shprehur Lekaj.
Lekaj ka theksuar se veç që do të jenë të saktë në kohë dhe planifikim, duhet të ofrojnë edhe siguri të projektit për qytetarët.
“Ajo që vlen të theksohet është se ne do të jemi të saktë në kohë si dhe në planifikim, por mbi të gjitha edhe në ofrimin e një sigurie shumë më të madhe të këtij projekti kapital për qytetarët e kësaj ane, sepse ne jemi të përkushtuar për të ofruar siguri për qytetarët. Zgjerimi i kësaj rruge ka qenë edhe më herët i domosdoshëm, por që nuk ka ndodhur, por ne marrim përgjegjësi që ky projekt të filloj në vitin 2018 dhe pastaj të shohim se sa mund të zhvillohet brenda atij viti. Zgjerimi kësaj rruge do të përfshijë edhe stazat për këmbësor dhe çiklist, por mbi të gjitha fokus do të jetë siguria e qytetarëve” tha ministri Lekaj.
Ai është zotuar se pas përpilimit të detajuar të këtij projekti do të shihen edhe mundësitë buxhetore në përkrahje të këtij projekti të rëndësishëm për qytetarët kësaj ane dhe vet zonën e cila ka një rëndësi të madhe turistike dhe ekonomike.
Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj ishte i shoqëruar nga Ministri Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, zëvendësministri Qerim Bajrami i po kësaj ministrie dhe deputetja Duda Balje.