Featured
Lekaj thotë se Ministria e Infrastrukturës nuk do t’i hyjë në hak asnjë komune
Komuna e Kamenicës dhe ajo e Gjilanit patën mysafirë të parin e Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj. Ky i fundit shkoi për të parë nga afër punimet e disa projekteve të cilat janë ende të pa përfunduara.
I pari i ministrisë premtoi përkrahje për qytetarët, pa dallim se nga cila komunë vijnë.
Si në Kamenicë ashtu edhe në Gjilan, Lekaj doli në teren për të parë nga afër mundësitë për investime rrugore.
“Sot inspektuam mbi pesë projekte të cilat kanë mbetur për t’u përmbyllur, por që nuk është bërë sa duhet që një gjë e tillë të ndodhë. Ashtu si në Kamenicë, në takim me Kryetarin e Komunës, Begzat Sinanin dhe kandidatin për Kryetar, Faton Jakupi, me te cilët dolëm në terren për të parë nga afër mundësitë për investime rrugore, edhe në Gjilan në takim me Kryetarin dhe Nënkryetarin, z. Haziri dhe z. Kadriu pastaj edhe në inspektime direkte në punishte”, ka thënë Lekaj.
“Me këto vizita inspektuese të sotme dhe në ditët në vijim, dëshiroj të përçoj mesazhin që nuk do t’i hyjmë në hak askujt, asnjë komune të Kosovës, respektivisht asnjë qytetari të vendit tonë, përsa i përket domenit të ministrisë që udhëheq”, ka deklaruar ministri i Infrastrukturës.
Nuk mbeti pa u trajtuar edhe cwshtja e Autostradws Gjilan-Prishtinw. Lekaj sot në Gjilan kryetarit Lutfi Haziri i ka konfirmuar mbështetjen e qeverisë dhe të kryeministrit Ramush Haradinaj për realizimin e projekteve madhore, siç është edhe autostrada Gjilan-Prishtinë.