Aktuale
Lekaj nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Jasharin dhe Lladrovcin

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e Komunës së Skenderajt Bekim Jashari dhe kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci. Marrëveshje kjo për të mbështetur projektet infrastrukturore të dy këtyre komunave.
Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve me kryetarin e Skenderajt, Lekaj ka deklaruar se edhe kjo komunë sikurse të gjitha komunat tjera në Kosovë do ta ketë mbështetjen e merituar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.
“Do ta mbështesim këtë rajon me projekte që kanë rëndësi të madhe për qytetarët e kësaj ane. Kjo është një pikënisje dhe do të vazhdojmë prapë, pasi që u dakorduam që do të kemi edhe projekte të tjera në infrastrukturën rrugore. Ne morëm përsipër që me rishikimin e buxhetit të realizojmë edhe projekte të tjera rrugore, që kanë ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik dhe lidhjen e dy komunave, si dhe lidhjen e fshatrave me këto qytete. Ne si Qeveri e Kosovës jemi të përkushtuar t’u qëndrojmë afër komunave dhe t’i mbështesim fuqishëm në projektet e tyre që janë në të mirë të qytetarëve“, tha ministri Lekaj.
Ndërkaq, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, duke e falënderuar ministrin Lekaj, ka thënë se kjo mbështetje e institucioneve qendrore ka rëndësi të madhe për Skenderajn dhe qytetarët e saj, të cilët janë edhe përfitues të këtyre projekteve të mbështetura nga Ministria e Infrastrukturës. Jashari ka thënë se marrëveshja e nënshkruar sot, është një nisje e mirë drejtë realizimit të projekteve të Skenderajt.
Më pas, ministri Pal Lekaj, vizitoi Drenasin, ku u prit nga kryetari i saj Ramiz Lladrovci, e me të cilin nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi, për disa projekte që kanë rëndësi vitale për Drenasin dhe qytetarët e saj. Ministri Lekaj tha se Drenasi dhe Drenica në tërësi, do ta ketë mbështetjen e fuqishme të Qeverisë së Kosovës, e në veçanti të Ministrisë së Infrastrukturës.
“Ndihem shumë mirë që ne si Qeveri e Kosovës dhe si Ministri e Infrastrukturës, jemi afër komunave dhe për atë që sot e nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi për mbështetje financiare të projekteve, që do ta lidhin qytetin me zonat rurale. Ministria e Infrastrukturës do të jetë derë e hapur e juaja, sepse e di kontributin tuaj edhe të mëparshëm kryetar, andaj unë së bashku me bashkëpunëtorët e mi do të jemi në mbështetje të projekteve tuaja që kanë impakt pozitiv edhe në zhvillimin ekonomik në përgjithësi, si dhe në zhvillimin e Drenasit. Të jeni të bindur se ne do të jemi të saktë në projekte dhe implementimin e tyre dhe nuk do t’i zgjasim projektet siç ka ndodhur në të kaluarën”, tha Lekaj.
