Aktuale
Lekaj iu ofron garanci çekëve që synojnë të investojnë në Kosovë
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/11/auto__IDJ19521511972304-1.jpg)
Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka pritur një grup investitorësh nga Çekia të cilët ishin të shoqëruar nga kryetari i sapo zgjedhur i Istogut, Gani Dreshaj.
Lekaj i ka njoftuar investitorët me projektet ambicioze që priten të realizohen përgjatë katër viteve të ardhshme dhe për mundësitë e shkëlqyera që i ofron Kosova për investitorët e jashtëm, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Fillimisht më lejoni që t’ju uroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës. Njëherësh dua t’ju siguroj se ne jemi të interesuar të bashkëpunojmë me investitorë serioz sepse kemi projekte shumë të rëndësishme dhe që na duhen kompani serioze në realizimin e tyre. Ne kemi disa projekte që janë kapitale dhe që do të realizohen në katër vitet e ardhshme”, tha Lekaj.
Më tutje Lekaj i ka informuar investitorët edhe për garancitë që i ofron ai si ministër për të gjithë investitorët, por edhe garancitë që i ofron qeveria e Kosovës për të gjitha kompanitë e huaja dhe vendore që investojnë në vend.
Ndërkaq Vladimir Hejduk nga kompania “Rowan Legal” është ndarë i kënaqur me garancitë që qeveria i ofron për ta si investitor potencial në të ardhmen.
“Ministër Lekaj më lejoni që t’ju falënderoj edhe në emër të kolegëve nga kompania tjetër ‘ËNG Target’ që janë sot me mua, dhe dua të ju informoj se ne si kompani me një qarkullim prej miliarda eurosh jemi të interesuar që të jemi prezent në projekte të ndryshme në Kosovë si dhe në industrinë ushqimore. Ne jemi të interesuar që të themelojmë edhe Odën ekonomike çeko-kosovare”, tha Hejduk.
Lekaj i ka ftuar investitorët çekë që të investojnë në Kosovë, duke u garantuar atyre se ministria që ai drejton dhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të jenë nikoqir serioz dhe garantues të investimeve të tyre.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)