Aktuale
Lapidar në nderim të 158 ushtarëve të KFOR-it të rënë në Kosovë

Në nderim të 158 ushtarëve të NATO-s, që humbën jetën deri sa shërbenin në Kosovë, sot në Prishtinë do të përurohet një lapidar.
Ky lapidar, i ngritur në sheshin “Nëna Terezë” të Prishtinës do të përurohet sot në orën 11. Siç është paralajmëruar, të pranishëm do të jenë drejtuesit shtetërorë dhe politikë të vendit, përfaqësues nga NATO-ja, ish-komandantë të KFOR-it, familjarë të të rënëve, përfaqësues të shteteve të tyre dhe të ftuar të tjerë.
Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për ngritjen e lapidarit për ushtarët e NATO-s të rënë në Kosovë, pas hyrjes së trupave të KFOR-it në Kosovë më 12 qershor 1999.
Zëvendësministri i FSK-së, Burim Ramadani i tha RTK-së se me lapidarin për ushtarët e NATO-s, do të nderohen 158 ushtarët e NATO-së që kanë humbur jetën në Kosovë.
“12 qershori na bënë të kujtojmë aleatët tanë. Në Kosovë nuk kanë humbur jetën ushtarët e NATO-së në operacionet ushtarake, por kanë humbur jetën në aksidente apo mënyra tjera”, tha ai.
Sipas tij Lapidari shpreh mirënjohjen për ushtarët e rënë, për familjet e tyre dhe shtetet e tyre në shërbim të paqes dhe sigurisë. Po ashtu, për ne është edhe dëshmi e shprehjes së mirënjohjes për ushtarët e aleancës së NATO-s dhe KFOR-it, me çka tregojmë jo vetëm nderimin dhe mirënjohjen, por edhe synimin tonë si shtet që edhe Kosova të jetë anëtare e NATO-s.
“Për nderimin e tij ka pasur koordinim edhe me NATO-në”, tha ai.
