Aktuale
Lajm i madh: Manifesta 2022 mbahet në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se zyrtarisht Prishtina e ka fituar të drejtën që Festivali Manifesta 14 do të mbahet në Prishtinë, në vitin 2022.
Ai tha se pritet që në Prishtinë do të vijnë një numër i madh i vizitorëve për ta ndjekur festivalin, që do të sjellë numër të madh të arkitektëve, urbanistëve e intelektualëve ndërkombëtarë por edhe ata vendorë.
“Pritet që diku 200 mijë vizitorë do të jenë në Prishtinë në vitin 2022, për të vizituar këtë festival, i cili do të mbahet disa muaj gjatë vitit 2022 dhe do të sjellë arkitektë, urbanistë intelektualë ndërkombëtarë dhe vendorë, për të bërë intervenime dhe për të diskutuar sinqerisht mbi të ardhmen e qyteteve tona në Ballkan”, ka thënë Ahmeti në rrjetin social Facebook.
Ai tha se mbajtja e Manifestat është një mesazh që Ballkani është pjesë e Evropës dhe do të marrë pjesë në të gjitha diskutimet shoqërore që po mbahen në Evropë.
“Mendoj që Manifesta e ka dërguar mesazhin kryesor e që është se Ballkani është pjesë ë Evropës, përmes Prishtinës dhe Prishtina ka çka të kontribuojë bashkë me Ballkanin në të gjitha diskutimet shoqërore, që po zhvillohen momentalisht në Evropë”, ka thënë ndër të tjera Ahmeti.
Ahmeti tregoi gjithashtu që Prishtina ishte në garë të ngushtë me Vienën dhe Kievin, mirëpo bordi i Manifestas e ka përzgjedhur aplikimin e Prishtinës për tu mbajtur ky festival, njëri ndër evenimentet më të mëdha të artit në Evropë.
Mbajtja e Manifestas në Prishtinë do të sjellë investime për shpenzime kapitale, formim të veprave artistike e burime njerëzore. Mirëpo, ky investim do t’i kthehet Prishtinës, sepse me ardhjen e 200 mijë vizitorëve nga e gjithë Evropa pritet që do të vijnë edhe rreth 20 milionë të hyra në qytetin e Prishtinës.
Manifesta konsiderohet si një ndër bienalet më të rëndësishme të artit në Evropë. Kjo bienale “udhëton” çdo dy vite nëpër qytete evropiane. Manifesta së fundmi është mbajtur në Palermo, në vitin 2020 do të mbahet në Marsej të Francës, e në Prishtinë në vitin 2022.
