Aktuale
Lagjja e harruar e Prishtinës, banorët akuzojnë komunën
Lagjja Tophane në kryeqytet është harruar nga Komuna e Prishtinës.
Banorët e këtushëm po ndjehen të diskriminuar dhe të lënë anash nga organet komunale.
Ata po ankohen se në këtë pjesë nuk ka kontejner mbeturinash, tabela sinjalizuese, por as infrastrukturë të duhur.
Njëri nga banorët e kësaj lagjeje, Fatlum Rugani thotë për Ekonomia Online se problem kryesor mbeten mbeturinat që shihen kudo.
Ai po ashtu tregon se si ishte aksidentuar motra e tij nga dy vetura.
Kjo për shkak të mungesës së shenjave të trafikut që tregojnë lëvizshmërinë e fëmijëve afër shkollës.
“Mbeturinat na pengojnë shumë, për shkak se hedhin edhe shumë tjerë. Ka pasur edhe shumë aksidente për shkak se nuk ka pasur shenja komunikacioni që tregon shpejtësinë maksimale dhe shpesh herë dalin familjarët i largojnë, por që sërish vazhdojnë të hedhin mbeturina”.
“Motra ka qenë duke kaluar rrugën edhe nuk ka pasur asnjë shenjë komunikacioni dhe kur është ndalë njëra veturë për t’i dhënë përparësi kalimi, tjetra pas tij nuk ka ndaluar dhe e ka aksidentuar motrën time”, u shpreh ai.
Juliana Berisha, thotë se në këtë lagje jetojnë prej vitesh dhe se nuk ka parë asnjë investim të vetëm.
Përveç mbeturinave dhe mungesës së shenjave sinjalizuese, ajo ankohet edhe për ajrin e ndotur që vjen si pasojë e djegies së thëngjillit.
“Po tash e disa vite këtu siç e keni parë edhe ju problemet janë nga më të ndryshmet, mos të flasim e para me ajrin që është tepër i ndotur dhe që shumica e familjeve djegin qymyr ose lëndë tjera. Pra nuk është dru sepse ajri është tepër i rëndë, kjo është sigurisht primare. Problemi tjetër kryesor është që ajo që po na shqetëson është deponitë e plehrave, mbeturinat që po hidhen dhe sado që kemi kërkuar herë pas here vjen komuna në ndonjë vend i tërheq por kjo është bërë tepër shqetësuese. Pra këtu është bërë një deponi e madhe mbeturinash”.
Ajo tregon se shpesh me vetiniciativë ndërmarrin aksione pastrimi, pasi që organet komunale nuk largojnë mbeturinat nga këtu.
“Ne si banorë kemi bërë aksione për mbledhjen e mbeturinave por nuk mundemi dhe nuk është vetëm përgjegjësi e jona. Problem tjetër tejet shqetësuese është emërtimi i rrugës sepse nuk ka tabelë dhe tjetra është se fëmijët e kapërcejnë rrugën dhe janë të rrezikuar. Problemi më i madh është se ndonjëherë institucionet nuk përgjigjën në kohë dhe kjo ndikon në cilësinë e jetës”, thotë ajo për EO.
Edhe banori tjetër, Arlind Behrami, thotë se janë në hall me mbeturinat të cilat hedhen vend e pavend.
Ai thotë se kane bërë kërkesë të komuna, por që nuk iu është përgjigjur.
“Lagjja jonë ballafaqohet me hedhje të mbeturinave, nuk ka mjaftueshëm kontejnerë që t’i hedhin ato, prandaj ato hidhen vend e pa vend, nëpër rrugë. Ballafaqim tjetër është shkolla, nuk ka shenja të komunikacionit dhe mund ta rrezikojë jetën e çdo personi që kalon andej. Kemi bërë kërkesë në Komunë dhe nuk na është kthyer përgjigje asnjëherë”, thotë ai.
Probleme të tilla ka edhe në lagje të tjera të kryeqytetit.