Aktuale
Lagjet “Mati”, “Kalabria” e “Qendra” duhet të presin deri 2019 për ngrohje nga TERMOKOSI

Kanalet e hapura e gërmimet në gropa të thella përskaj disa rrugëve të kryeqytetit, janë sinjalizues të punimeve që po bëhen për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore, të realizuara nga Termokosi, që me gjithë premtimet e bëra, la jashtë projektit të kogjenerimit disa nga lagjet kryesore edhe ketë sezonë.
Shkruan: Arta Desku
“Dardania”, “Ulpiana”, “Qendra”, “Kalabria” dhe “Mati” kanë qenë lagjet që fillimisht është paraparë të përfitojnë nga faza e ardhshme e këtij projekti, por punimet nuk do të finalizohen deri në 15 nëntor. Fillimisht për këtë gjë duhet të përcaktohet kompania përkatëse që do të merret me punimet, e që do të bëhet e ditur brenda një muaji.
Për procesin e kongjenerimit të rrjetit ekzistues, të kësaj fazeje ka folur edhe zëdhënësja e termokosit Afërdita Uka Fejzullahu e cila ka treguar se janë në bashkëpunim të plotë me Komisionin Evropian.
“Sa u përket pyetjeve tjera, që kanë të bëjnë me interesimin tuaj sa i përket zgjerimit të rrjetit të ngrohjes, rikujtojmë se kjo fazë e Projektit të kogjenerimit do të realizohet në bashkëpunim të plotë me Komisionin Evropian, ku aktualisht janë duke u zhvilluar procedurat tenderuese për përzgjedhjen e kompanisë, që do të kryejë punimet në këtë fazë të projektit”, ka thënë ajo.
Aktualisht rregullimet janë duke u zhvilluar në dy segmente rrugore. I pari fillon nga Fakulteti Teknik e shkon në drejtim të zonës lindore të Kodrës së Diellit, kurse i dyti fillon nga “Ibër Lepenci” (tek Santea) e shkon në drejtim të “Termokos”-it. Këto dy segmente kanë filluar në fund të muajit korrik, teksa përfundimi pritet të ndodhë para fillimit të sezonës së re të ngrohjes.
“Punimet për rehabilitimin e rrjetit ekzistues të ngrohjes janë duke u zhvilluar sipas planit dinamik, të përcaktuar nga ‘Termokos’ dhe kontraktori. Bazuar në zhvillimin e punimeve të deritanishme për rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, shpresojmë se punimet do të përfundojnë ashtu siç është planifikuar, pra para fillimit të sezonit të ri ngrohës 2018/2019 dhe deri më tani gjithçka ka shkuar si është më së miri. Nuk ka pasur kurrfarë problemi, që do të pengonte sadopak mbarëvajtjen e punimeve, që janë duke u zhvilluar në teren ”, është shprehur Afërdita Ukaj- Fejzullahu.
Për pjesët e mbetura pa rregulluar nga ky proces, duhet pritur marsi i vitit 2019.
Ndërtimi.info ka kontaktuar me zyrën e BE-së, të cilët kanë treguar se fillimi i Kontratës së Punimeve pritet të bëhet në nëntor 2018, ndërkohë që pas kësaj kontraktuesi duhet të përgatisë projektin para se të fillojë me ekzekutimin e punimeve.
Nga Zyra e BE-së është bërë e ditur gjithashtu se punimet që parashihet të fillojnë në mars të 2019-tës do zgjasin 18 muaj.
“Zbatimi i punimeve do të fillojë në mars 2019 dhe do të vazhdojë për 18 muaj. Orari i aktiviteteve/ punimeve për rehabilitimin e rrjetit ekzistues në Dardania, Ulpiana, Qendër dhe Bregu i Diellit, si dhe zgjerimi i Kalabrisë dhe Matit do të përcaktohet pas fillimit të Kontratës së Punës”, është shprehur Safet Kabashaj nga Zyra e BE-së në Kosovë.
Projekti i kogjenerimit, është një bashkëpunim në mes të Komisioni Evropian, Qeverisë Gjermane, përmes Bankës Gjermane, Qeverisë Suedeze dhe asaj të Luksemburgut me Komunën e Prishtinës dhe Qeverinë e Kosovës.
Synimi i projektit ekonomik të kogjenerimit, ndër tjera është edhe rritja e kapacitetit të ngrohjes, zëvendësimi i gypave të vjetër, të instaluar gjatë viteve të ‘70-ta me gypa të rinj dhe përmirësimi i cilësisë së ajrit.
