Connect with us

Aktuale

Lagjen romake të Durrësit e kërcënojnë seriozisht projektet publike

Published

on

Projekti i bashkisë së Durrësit për ndërtimin e një nënkalimi me platformë betoni dhe plani për ngritjen e pallatit të Drejtësisë në lulishten e Mauzoleumit të Dëshmorëve rrezikojnë me zhdukje pjesën e mbijetuar deri më sot të lagjes antike romake-dhe sipas arkeologëve një epokë historike të shkëlqimit të qytetit bregdetar.

Në fillim të viteve ’80, arkeologu Fatos Tartari gërmoi pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve në Durrës dhe zbuloi mozaikë dhe një afresk të ruajtur si pjesë e një banese luksoze romake. Tartari kujton se gjetjet u konservuan dhe u mbuluan sërish, ndërkohë që mbi to gjendet sot një nga rrugët kryesore të qytetit dhe disa lulishte. Prej asaj kohe, zona me gjetje arkeologjike u rrethua nga pallate shumëkatëshe që varrosën në themelet e tyre një pjesë të lagjes romake të Durrësit, ndërsa pjesa tjetër nën lulishtet rreth Mauzoleumit mbeti e paprekur. Megjithatë, edhe kjo pasuri e shpëtuar kërcënohet sot nga dy projekte infrastrukturore të miratuara nga bashkia e Durrësit.

Prej vitit 2016, Bashkia e Durrësit ka planifikuar ndërtimin e një tuneli nëntokësor me vlerë rreth 950 milionë lekë mbi mbetjet arkeologjike. Po ashtu, në lulishtet pranë Mauzoleumit parashikohet ndërtimi i një godine të re për Gjykatën dhe Prokurorinë e Durrësit, me vlerë të përafërt 1.6 milionë euro.

Të dyja projektet kundërshtohen ashpër nga arkeologët, të cilët thonë se rrezikojnë me zhdukje pjesët e pacënuara të lagjes romake, që mbart rëndësi të veçantë për historinë e qytetit të Durrësit.

“Janë të gjitha banesa luksoze, pra kjo tregon se është lagjia e senatorëve romakë. Aty janë të gjitha veprat e artit, ka një galeri në natyrë po të zbulohen, ka mozaikë dhe afreske,” tha për BIRN arkeologu Fatos Tartari.

“Kjo përfaqëson shkëlqimin e Durrësit dhe nëse i hiqet Durrësit kjo epokë, atëherë ky qytet merr fund,” shtoi ai.

Prej vitit 1961, nëntoka e Durrësit është shpallur muze dhe mbrohet me një ligj të veçantë si rrjedhojë e VKM nr. 172, datë 2 qershor 1961 ‘Për nëntokën e Durrësit’”. Megjithatë, statusi i mbrojtjes ligjore është injoruar në vazhdimësi nga autoritetet, të cilët u kanë dhënë prioritet projekteve të ndërtimit mbi vlerat arkeologjike të qytetit.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se bashkia e Durrësit i ka avancuar planet e veta infrastrukturore në mungesë të një sondazhi arkeologjik, përmes buxhetimit të projektit dhe kontraktimit të një studioje për hartimin e projektit dhe Vlerësimin Paraprak të Ndikimit në Mjedis.

VNM-ja është hartuar nga studioja Gjeokonsult & CO sh.p.k, e cila paraqet një situatë kontradiktore sa i përket vlerave arkeologjike dhe historike të zonës.

“Zona ku ndodhet objekti dallohet për objekte të veçanta arkitekturore e historike si dhe gjetje arkeologjike,” thuhet në VNM.

“Sipas studimit gjeologjik, karakteristikat gjeomorfologjike dhe arkitektonike janë të zakonshme, e deri sot nuk përfaqësojnë ndonjë objekt të veçantë për t’u marrë në mbrojtje ligjore,” shkruhet në fjalinë pasardhëse.

Të kontaktuar nga BIRN, Bashkia e Durrësit dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, ASHA u përgjigjën se kishin planifikuar realizimin e një sondazhi arkeologjik para fillimit të punimeve. Por plani i ndërtimit ka ecur shumë herë më shpejt sesa sondazhi për dokumentimin e vlerave arkeologjike dhe historike të zonës.

Në mungesë të sondazhit, bashkia e Durrësit ka alokuar rreth 199 milionë lekë nga buxheti i saj për lotet e para të punës. Ndërkohë, një vendim i Këshillit Bashkiak i vitit 2015 është miratuar që lulishtet te Mauzoleumi të kthehen në shesh ndërtimi për “Pallatin e Drejtësisë”.

Nuk është hera e parë që Bashkia e Durrësit projekton punë publike, të cilat kundërshtohen për shkak se cënojnë vlerat arkeologjike të qytetit. Projekti Veliera, një strukturë betoni mbi një shesh publik me vlerë 6 milion euro është pezulluar që prej fillimit të vitit që shkoi, pas protestave dhe padive të shoqërisë civile.

Bashkia Durrës, e cila fitoi çështjen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë u detyrua më herët të ndryshonte projektin për të konservuar disa prej gjetjeve arkeologjike, por ky korrektim nuk i kënaqi pritshmëritë e shoqërisë civile. Ndërkohë, leje ndërtimi të dhëna në zona me pasuri arkeologjike ndër vite, kanë shkaktuar sipas specialistëve dëme të pakthyeshme për historinë e qytetit.

Ngjashëm, projekti i Bashkisë së Durrësit për një tunel që fut nëntokë disa segmente të rrugëve kryesore të qytetit dhe ai për ndërtimin e një “Pallati Drejtësie” në të njëjtën zonë, janë sipas arkeologëve një “krim i ri” mbi historinë e qytetit.

Arkeologu Moikom Zeqo, i cili njësoj si Tartari e nisi karrierën e tij me eksplorimin e nëntokës së Durrësit i tha BIRN se zona ku janë planifikuar ndërtimet është e “dorës së parë” për historinë e qytetit.

“Ky projekt është i gabuar, sepse aty gjendet lagjia romake dhe kjo u vërtetua në mënyrë absolute tek lagjja romake që u zbulua tek ish-Lulishtja 1 Maji. Ajo lagje nuk ka qenë e veçuar. Në bazë të sistemit urbanistik hipodamik, rrugët vijojnë edhe në këtë drejtim dhe e gjithë ajo hapësirë, nga zona e ish-Lulishtes 1 Maji e deri tek Mauzoleumi i Dëshmorëve është një zonë e pasur arkeologjike,” tha Zeqo për BIRN.

Zeqo shprehet i bindur se ndërtimi i tunelit aty do të prishë shtresa të mëdha kulturore të qytetit të antik.

“Do të thotë që një pjesë shumë të rëndësishme të qytetit të Durrësit ta varrosësh dhe ta betonosh,” shton ai.

Tartari dhe Zeqo nuk janë të vetmit që ngulmojnë për ruajtjen e lagjes romake. Prej tre vitesh, arkeologë shqiptarë dhe francezë po zhvillojnë aty projektin e quajtur “Topografia e Epidamn-Dyrrahut”, i cili në verën e vitit 2017 identifikoi strukturat e një terme (banjo) të periudhës romake në lulishten e Mauzoleumit të Dëshmorëve.

Arkeologu Eduart Shehi, i cili drejton projektin kërkimor shqiptaro-francez i tha BIRN se kjo zonë dallon nga zbulimet arkeologjike të mëparshme.

“Ne kemi gërmuar në pjesën e lulishtes, që është territor tërësisht i ri [nga zbulimet arkeologjike të mëparshme], por ndoshta pjesë e së njëjtës ndërtese,” tha Shehi.

Projektet e reja të ndërtimit shihen me shqetësim edhe nga operatorët turistikë, të cilët e konsiderojnë arkeologjinë si një ndër arsyet kryesore për tërheqjen e turistëve. Rigels Lenja, guidë turistike në Europën Juglindore i tha BIRN se ndërtimet e reja e bëjnë vendin më pak tërheqës.

“Arsyeja kryesore përse Durrësi është në një plan të dytë apo të tretë për t’u vizituar, është se nuk ka një vend ku turistin mund ta dërgosh dhe ta kuptojë historinë e qytetit që nga embrioni e deri në ditët e sotme”, u shpreh Lenja.

“Një turist nuk mund të qëndrojë më shumë se dy orë sot në Durrës,” shtoi ai me keqardje.

Bashkia e Durrësit ka planifikuar që tuneli nëntokësor do të ketë një gjatësi deri në 1.2 kilometra dhe synon të lidhë zonën e Muzeumit të Dëshmorëve me bregdetin e Currilave. Projekti fillon pranë Sheshit Pranvera dhe do të ketë një nënkalim, një dishezë të zbuluar me bordura prej betoni. Nënkalimi vijon deri tek sheshi përpara Mauzoleumit të Dëshmorëve dhe ka dy rampa që zgjaten në të majtë dhe të djathtë, përgjatë rrugës “Aleksandër Goga”.

Në fund të sheshit pritet po ashtu të ngrihet një godinë, e cila është planifikuar të shërbejë si strehë e re për Gjykatën dhe Prokurorinë e Durrësit.

Në një përgjigje me shkrim për BIRN, bashkia e cilësoi kalimin nëntokësor të nevojshëm për lehtësimin e lëvizjes në të dyja kahet e qytetit, ndërsa shtoi se është duke gjetur mundësitë për financim me qeverisjen qendrore, Bashkimin Europian dhe donatorë të huaj.

Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë i tha BIRN se Këshilli Bashkiak i Durrësit ka miratuar vënien në dispozicion të sheshit për pallatin e Drejtësisë që në vitin 2015, ndërsa shtoi se ky projekt është parashikuar të financohet nga Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor.

“Parashikimi për ndërtimin e një Gjykate të re dhe ndërtimi i godinës për Prokurorinë ka ardhur për arsye të kushteve dhe hapësirave të sallave për zhvillimin e gjyqeve, të cilat janë të papërshtatshme,” shkruan ministria e Drejtësisë. Kjo godinë parashikohet të zërë një hapësirë prej 2500 metrash katrorë.

E pyetur për vlerat arkeologjike në gjurmët e ndërtimit të projektuar, bashkia e Durrësit u përgjigj fillimisht se ky vlerësim i përket një faze të mëvonshme.

“Përsa i takon çështjes së problematikës arkeologjike, referuar dhe legjislacionit në fuqi, marrëdhënia me institucionet përkatëse arkeologjike dhe çdo lloj marrëveshje apo bashkëpunimi do të bëhet në një moment të mëvonshëm,” u përgjigj bashkia.

Por studioja e kontraktuar nga bashkia për Vlerësimin Paraprak të Ndikimit në Mjedis, Gjeokonsult & Co i tha BIRN se projektet e studiuara prej saj bien në zonën arkeologjike B.

“Zona ku bëhet ‘studim, projektim, zbatimi i sheshit publik dhe godina shërbimi institucionale pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve Durrës’ është në zonën B. Përgjigjen mund ta merrni pranë bashkisë Durrës,” u përgjigj Gjeokonsult &Co.

Agjencia e Shërbimit Arkeologjik nën varësinë e Ministrisë së Kulturës, e cila ka vendosur realizimin e një koncepti për sondazhe arkeologjike në zonën e projektit ka një qëndrim të ndryshëm. E pyetur nga BIRN se në cilën zonë shtrihet gjurma e këtij projekti, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik u përgjigj: “ ky projekt shtrihet pjesërisht në zonën “B” dhe “A” të qytetit të Durrësit”.

Agjencia e Shërbimit Arkeologjik bëri me dije se bashkia e Durrësit ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me shoqërinë e licensuar AD-Star sh.p.k për kryerjen e sondazheve arkeologjike në zonë që prej 26 tetorit 2017.

Në një përgjigje të dytë për BIRN, Bashkia e Durrësit konfirmoi marrëveshjen me studion e licensuar dhe sipas saj, ka filluar sondazhet arkeologjike në zonë. E kontaktuar nga BIRN, AD-Star tha se nuk kishte filluar ende nga puna.

E ndërsa arkeologët i bien kambanave të alarmit për të shpëtuar vlerat arkeologjike të zonës, banorët e Durrësit janë të paqartë dhe të painformuar. Ndonëse bashkia pretendon se ka kryer dëgjesa me publikun edhe për këtë investim gjatë hartimit të buxhetit për vitin e kaluar, qytetarët që banojnë në krah të rrugës ku do ndërtohet tuneli, i thanë BIRN se nuk ishin pyetur dhe as nuk e dinin se çfarë parashikonte projekti.

Indrit Rexhepi, administrator i një kafeneje në këtë zonë i tha BIRN se nuk ishte informuar dhe nuk e dinte nëse duhej të lironte hapësirën përpara kafenesë së tij. Të tjerë pronarë kafenesh në rrugë ngritën supet në padijeni për projektin.

Lartësia e sheshit të ri, që pritet të ngrihet paralel me katin e parë të dy blloqeve të pallateve në të dyja anët e rrugës pritet me shqetësim nga banorët.

“Vangjushi e ka bërë Durrësin beton të gjallë… E mira është të vendosin stola që të ulemi ne pensionistët”, shprehet Suzana Karagjozi, banore e katit të parë në një prej pallateve të zonës.

Artan Kacani, lektor për planifikimin e territorit, i cili analizoi renderat e pjesshëm të projektit që BIRN mori nga bashkia Durrës tha se sheshi i planifikuar është një platformë e madhe blloku prej betoni, që ngrihet mbi tunelin e nëndheshëm me 8 metra lartësi.

“Kjo hapësirë nuk është menduar as për funksion parkimi, as për ndonjë funksion tjetër. Mbi të gjitha do t’i bëjë një hije të dy pallateve që janë të përpara viteve’ 90 dhe do të margjinalizojë ato pak sheshe që janë,” argumentoi Kacani për BIRN.

Planifikuesi i territorit ka gjithashtu dyshime nëse kjo ndërhyrje do të lehtësojë trafikun në këtë zonë. “Në aspektin e lëvizshmërisë së automjeteve nuk ndryshon asnjë lloj gjëje sepse forma mbetet po ajo. Ndërsa në aspektin e lëvizjes së këmbësorëve, fragmentohet tërësisht,” shtoi Kacani.

Kacani dhe dy arkeologët me të cilët BIRN bisedoi thanë se projektet e reja duhet të zhvillohen në “Durrësin e dytë”- zona e ish-Kënetës dhe jo më në qendrën e vjetër të qytetit.

“Mendoj se investimet e radhës duhet të spostohen tërësisht. Nuk e di përse vitet e fundit është rikthyer ky lloj perversiteti për t’ju rikthyer qendrës dhe me investime në parcela, as në blloqe jo, duke i neglizhuar tërësisht pjesët historike. Është e pakuptimtë,” tha Kacani.

Zeqo e mbështet idenë e Kacanit, ndërkohë që thotë se është i nevojshëm një moratorium që ndalon ndërtimet e reja në zonën me pasuri arkeologjike.

Ndërsa Tartari thotë me trishtim se dëmi i shkaktuar ndër vite është aq i madh, sa qyteti nuk ka më një pikë referimi.

“Durrësi ka dalë nga përmbajtja e tij. Durrësi përfaqëson qendrën më të shëmtuar në botë, që nuk ka një pikë referimi, që nuk ka një qendër historike. Qytetërimi mesdhetar ka një fizionomi, nuk ka ndërtime prej betoni, ndërtime 20 katëshe,” përfundoi ai. /Geri Emiri/BIRN/

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending