Aktuale
Ky mendim i arkitektit Sadiki për stadiumin po pëlqehet nga të gjithë
Është rikthyer edhe njëherë në tavolinën e debatit çështja për lokacionin ku do të ndërtohet Stadiumi Kombëtar i Kosovës.
Gjatë bisedave për koalicionin e ri qeverisës që po përgatit për ardhje në pushtet LVV-LDK, Lumir Abdixhiku nga LDK ka thënë se janë dakorduar që lokacioni i stadiumit të kalojë në Bërnicë. Kjo deklaratë nxiti shumë debat.
Një nga mendimet që po pëlqehet më së shumti në rrjete sociale dhe rrethe profesionale, është ai i profesorit të arkitekturës Arbër Sadiki, të cilin mund ta lexoni më poshtë:
“Kam qenë kundër përcaktimit të lokacionit në Drenas i bërë pa kurrfar argumentimi dhe procesesi paraprak të diskutimit dhe analizimit të mundësive. Edhe më kundër rreth kontrabandimit të procesit të përzgjedhjes së projektit arkitektonik me ç’rast janë zhvatur 1.4 milion euro tonat. U ndjeva shumë i zhgënjyer, ama tepër, që pala qeverisëse në ardhje, me mënyrën e njëjtë, përcakton një lokacion tjetër pa kurrfar analize paraprake. Përcaktimi i lokacionit të objekteve të kësaj kategorie pa bërë një analizë shterruese të mobilitetit jo vetëm brenda kryeqytetit, por gjithë vendit, të të gjitha kategorive të transportit (ajror, autobusë, trena, metro…) do të na dërgoj drejt dështimeve si në rastin e Tiranës, apo edhe stadiumin aktual të Prishtinës ku për secilën ndeshje duhet të bllokohet i gjithë qyteti. Zhgënjuese vërtet kjo qasje e politikanëve për të marrur vendime për gjithçka. Edhe më zhgënjyes gadishmëria e komunitetit të profesionistëve të lëmisë për tja bërë aminin vendimeve banale politike pa kurrfar argumentimi profesional”, është shprehur ai.