Aktuale
Ky është rezultati i seancës së parë për rastin e punëtorit të vdekur të “Bechtel&Enka”-s
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/10/nn-1.jpg)
Shoferi i kamionit me të cilin është goditur i ndjeri Tafil Tafallari, në mëngjesin e 28 tetorit në punishten e “Bechtel&Enka”-s, deri sa po punohej në Autostradën “Prishtinë-Hani i Elezit”, tani është liri, raporton Ndërtimi.info
Për rastin “Tafallari” sot u mbajtë gjykimi, ku prokurorja Sebahate Sinani ka lexuar aktakuzën, por që nuk pati kërkesë për vazhdimin e ndonjë mase ndaj shoferit Meriton Salihu.
Në gjykimin e sotëm, i pandehuri nuk ka pranuar fajësinë, kështu ka thënë për Ndërtimi.info, gjyqatari i rastit, Shabi Idrizi.
“Kemi pas shqyrtimi fillestar si rregull, është bërë deklarimi i aktakuzës. I pandehuri nuk e ka pranuar fajësinë, në seanën e radhës për shqyrtim të dytë e kemi me 6 shkurt. Do të jetë kundërstimi i aktakuzës”, tha ai.
Idrizi ka treguar se prokurorja Sinani qëndron pranë aktakuzës që ka ngritur ndaj shoferit të kamionit.
“I pandehuri është i lirë, nuk ka pas propozim për vazhdim. Prokuroria ka lexuar aktakuzën qëndron pranë saj, por nuk propozim për vazhdim dicka, të arrestit shtëpiak apo dicka tjetër”, shtoi ai.
Por kjo aktakuza po ka të metat e saj, sipas gjyqatarit. Gjyqtari Idrizi tha se e meta e aktakuzës është që nuk ka cekë palë të dëmtuar.
“Në aktakuzë nuk ka palë të dëmtuar dhe është një e metë e prokurorisë”, tha ai.
Kujtojmë që në aktakuzën e siguruar nga Ndërtim.info, prokuroja ka kërkuar gjykatës që Meriton Salihu të shpallet fajtor dhe të marrë dënimin meritor.
“Pas mbajtjes së shqyrtimit kryesor dhe administrimit të provave, i propozoj Gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtorë dhe ta ndëshkoj me dënimin meritor sipas kodit penal”, thuhet në aktakuzë.
Gjithashtu, prokurorja Sinani ka kërkuar që të pandehurit t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues, marrja e leje së vozitjes.
“Po ashtu në pajtim me nenin 62 paragrafi 2, nënparagrafi 2.6 të KPRK-së, gjykatës i propozoj që ndaj të pandehurit të shqiptoj edhe dënimin plotësues, marrjen e lejes së vozitjes”, citohet të ketë thënë prokuroria.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)