Infrastrukturë
Ky është projektin i Abrashit për kanalizim, ujë, ngrohje e ruajtje të mjedisit

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Prishtinës, Arban Abrashi, në kuadër të fushatës elektorale shpalosi të hënën para qytetarëve programin e tij për shërbime publike, duke përfshirë zgjidhjen e problemeve të kryeqytetit me ngrohje, ujë, kanalizim dhe ruajtje mjedisit etj.
Në fillim të fjalës tij, Abrashi tha se Komuna e Prishtinës do të rritë bashkëpunimin me kompanitë rajonale dhe publike ku do të insistojë që këto kompani të kalojnë në pronësi të Komunës së Prishtinës me qëllim të llogaridhënies ndaj komunës dhe do të ketë rritje të buxhetit për çdo vit.
Më pas ka folur edhe për ujësjellësin dhe furnizimin më të mirë me ujë.
“Do të ketë furnizim me ujë për të gjithë banorët e lagjeve të qytetit të Prishtinës, do të bëhet edhe kyçja e sistemit publik të furnizimit me unë të pijshëm në Batllavë dhe Badovc, ku do të furnizohen të gjitha fshatrat me ujë 24 orë pandërprerë”, ka premtuar Abrashi, duke shtuar se Komuna e Prishtinës do të angazhohet edhe për ndryshimin e legjislacionit dhe kalimin e përgjegjësisë për mirëmbajtjen e kanalizimit fekal nga ujësjellësi rajonal “Prishtina” tek komuna e Prishtinës, pasi në këtë mënyrë do të krijoheshin fonde të mjaftueshme për mirëmbajtjen e kanalizimit fekal dhe atmosferik në gjithë Komunën e Prishtinës.
“Për trajtimin e kanalizimit do të ndërtohet fabrika e trajtimit të ujërave të zeza në Fushë Kosovë, ndërsa sa i përket ngrohjes, Komuna e Prishtinës do të ndajë nga buxheti të saj çdo vit nga 1 milion euro për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit në qytet, ku komuna në vazhdimësi do të participojë në projekte të përbashkëta me donatorët e jashtëm për zhvillimin e Termokosit”, është shprehur Abrashi.
“Sa i përket pastrimit, do të bëhet rritja e efikasitetit të Drejtorisë së Inspeksionit, ku konkretisht do të profilizohen inspektorët e mjedisit në funksion të rritjes së kualitetit të inspektimit në terren për çështje mjedisore. Përveç kësaj, do të bëhet trajtimi i mbeturinave në bashkëpunim me urbanizmin, mbeturinat ndërtimore do të trajtohen në çdo vendpunim, duke krijuar kështu deponi të veçantë për grumbullimin e tyre, ku më pas do të bëhet edhe ndarja dhe riciklimi i tyre”, tha kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës.
Abrashi i ka elaboruar me radhë pikat e programit qeverisës dhe në këtë vazhdë, është ndalur te ndriçimi publik dhe segmente tjera. “Ndriçimi publik dhe mirëmbajtja e rrugëve do të vazhdojë me zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit, mirëmbajtjen e rrjetit të ndriçimit publik dhe zgjerimin e rrjetit semaforik, me mirëmbajtjen cilësorë të tyre”, ka thënë Abrashi.
Pas tij, disa fjalë i ka thënë edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ndër të tjera tha: “Gjatë kohës së qeverisjes Mustafa u bënë shumë projekte madhore, siç ishin Fabrika e ujit në Shkabaj, u blenë 350 kontejnerë të mbeturinave, zhvilluam projektin për autobusët e rinj, renovuam tri strehimore të kryeqytetit, mbi 1 milion metra katror gjelbërim, ndërsa gjatë katër viteve të fundit jemi dëshmitarë se nuk u bë asnjë avancim dhe se pati vetëm degradim, ku si asnjëherë më parë Prishtina është një katastrofë si pasojë e katër viteve të humbura, si realitet i një eksperimenti”.
