Aktuale
Ky është njeriu që investoi për rregullimin e varreve të familjes Jashari

Derisa kullat e Jasharajve janë në prag të shembjes, krejt gjendje tjetër është në parkun e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, aty ku edhe gjenden varret 59 të rënëve.
Të rregulluara deri në detajine fundit janë të gjitha varret. Mermerë të llojit të veçantë e cilësisë së lartë janë përdorur për rregullimin e tyre. Mirëpo, për to asnjë cent i vetëm nuk është dhënë nga institucionet e Kosovës, pavarësisht se ishte dhënë një tender për këtë punë.
I gjithë investimi në varret e Jasharajve ishte donacion nga turku Jusuf Yzer.
Mirëpo, edhe pse mermerët u dhanë donacion, drejtori në largim i Agjencisë për Menaxhimin e komplekseve Memoriale, Idriz Blakaj, për emisionin “Koha për Ndërtim”, ka thënë se nuk e di sa ka qenë shuma e parashikuar në kontratë për këtë investim.
“Kur janë interesuar MHPH-ja dhe kompania që e ka fituar tenderin për punim të varrezave kanë shkuar në Turqi që t’i gjejnë gurët e varrezave dhe kanë hasur në atë kompani. Kur e ka marrë vesh turku se për ku janë destinuar ata gurë, ai ka thënë se i jep si donacion dhe nuk ka nevojë me pagu. Biles, deri në Prekaz i ka sjell me transport te vetin. Mirëpo, mjetet që kanë qenë të destinuar për gurë të varrezave nuk i janë dhënë kompanisë, normal. Ne kontratë nuk ka qenë shuma e caktuar dhe nuk e di sa është sepse unë nuk kam qenë atëherë i kyçur në atë punë”, ka thënë Blakaj.
Mirëpo, mbrapa investimit në varret e familjes Jashari qëndron Alush Shala, mik i vjetër i komandantit Adem Jashari dhe i Jusuf Yzerit, sot i ndjerë, që ishte një nga pronarët e kompanisë “Limak”.
“Fillimisht, ky është Jusuf Yzer nga Stambolli, pronar i “Ballkanit” në Suharekë. Por, kompania që e pati fituar tenderin për mermer të varrezave a ka kontaktuar dhe kërkuar që t’i ndihmojmë në këtë proces. Unë e kam njoftuar pronarin se jemi të interesuar për 59 mermerë për varrezat e Jasharajve. Ai, me kënaqësi e ka pranuar dhe tha se ky do të jetë donacion dhe ne mund të flasim vetëm për sasinë dhe llojin, cilësinë e mermerit”, tha ai për emisionin “Koha për ndërtim”.
E, pavarësisht paratë e destinuar për mermerët e varrezave nuk u shfrytëzuan, prapë për konservivimin dhe restaurimin e kullave nuk u bë asgjë./Ndërtimi.info/
