Aktuale
Kuvendi me mungesë planifikimi të investimeve kapitale
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/09/Kuvendi-i-Kosoves.jpg)
Edhe në vitin 2018 sikurse në atë paraprak realizimi i projekteve kapitale ishte sfidë për Kuvendin e Kosovës. Zyra Kombëtare e Auditimit tregon se nga 9 projektet e buxhetuara, në 7 prej tyre nuk ishte shpenzuar fare buxhet, ndërsa në dy të tjerat nuk ishte shpenzuar plotësisht buxheti i planifikuar.
Sipas ZKA-së, zvogëlimet e investimeve kapitale kishin ndodhur për disa arsye:
“Niveli i ulët i realizimit të projekteve kapitale tregon se kishte munguar një analizë e mirëfilltë në procesin e planifikimit të projekteve kapitale. Investimet kapitale nga buxheti fillestar deri në final ishin zvogëluar për rreth 87%. Zvogëlimet kanë ndodhur kryesisht si pasojë e mos inicimit të kërkesave nga njësitë kërkuese, anulimeve të tenderëve për shkak të ankesave apo nga mungesa e ofertave të përgjegjshme”, thuhet në raportin e auditimit.
Auditori ka paraparë rreziqet nga planifikimi jo adekuat i projekteve, sipas tij kjo ndikon që financimi i këtyre projekteve të anulohet apo të mbetë barrë e buxheteve të ardhshme.
Ndërsa rekomandimet për sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqin, janë që ai duhet të sigurojë se është bërë një vlerësim i shkaqeve në lidhje me pengesat e hasura në procesin e realizimit të projekteve kapitale, si dhe të nxjerrë mësimet në mënyrë që praktikat e tilla të mos përsëriten. Sipas ZKA-së p erformanca e projekteve kapitale duhet të monitorohet në baza mujore dhe të adresohen barrierat e identifikuara me kohë, në realizimin e projekteve kapitale.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)