Ai ka thënë se nëpërmjet këtij projekti, Komuna e Deçanit kthehet në hartën e ekonomike të Kosovës dhe të rajonit, transmeton Klan Kosova.
“Është një ngjarje e mirë sot që po bashkohemi në këtë trevë. Me kujtohet kjo zonë ka qenë tokë e djegur dhe e minuar gjatë kohës së luftës. Ju e dini sa gjatë është punuar të deminohet kjo zonë. I gëzohem këtij projekti që po realizohet në Komunën e Deçanit sepse infrastruktura e lehtëson jetën e qytetarëve. Ajo që na shtynë të ecim përpara, është fakti se ky projekt na kthen në hartën ekonomike dhe i nxjerrë në pah vlerat tona. Po ashtu i nxjerrë në dritë edhe resurset tona dhe mundësitë ekonomike”, ka thënë ai.
Haradinaj ka thënë se kjo rrugë është e rëndësishme.
“Kjo autostradë do t’i lidhë qytetarët me vendet e Europës. Është mirë e ditur se një familjar, për të shkuar në arën e vet, prej Pejës në Prizren duhet ta shfrytëzojë këtë rrugë. Autostrada e Dukagjinit është tepër me rëndësi, ata që e kritikojnë një projekt të tillë janë hileqarë dhe duhet të iu vijë marre atyre që e kritikojnë këtë projekt”.
Haradinaj u ka bërë thirrje të gjithëve që mos gabojnë ta kritikojnë rëndësinë e projektit të lartpërmendur, pasi që sipas tij, kjo autostradë nuk kalon nëpër pronën e tij ose të babait të tij.
“Ne po duam me u lidh me ekonominë e Kosovës dhe të rajonit. Duam që të arrijmë më shpejt në portin e Durrësit dhe Selanikut. Nuk vijnë investimet askund nëse nuk ka infrastrukturë të mirëfilltë. Ne jemi në dijeni se ka edhe vështirësi të tjera si mosrespektimi i ligjit dhe korrupsioni. Nëse dikush ka pasur dilema që Kosova nuk bëhet fuqi ekonomike, duhet të ua bëjmë me dije se ne i kemi thyer të gjitha tabutë deri më tani. Ka qenë teori e Serbisë që Kosova nuk duhet të ndahet na Serbia sepse shqiptarët vdesin urie. Rrallë herë ka popuj më të bekuar se populli i Kosovës. E di që duhet të ballafaqohemi me të metat tona, por nuk pranoj që të na cilësojë dikush si të pazotët. E lus Europën që të na pret se ne do t’i bashkohemi asaj, jo si qyqar por si ata që kanë diçka për të treguar”, ka shtuar Haradinaj.