Aktuale
Kurti: Me qeverinë e re bëhet funksionalizimi i plotë i sistemit të hekurudhave
Gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, në të cilen pritet që Albin Kurti të marrë postin e Kryeministrit, ai ka shpalosur programin e qeverisë së tij.
Kurti ka thënë se qeveria e re do të jetë qeveri për infrastrukturës, duke u integruar me ekonominë e vendit e jo të jetë në shërbim të shteteve të tjera vetëm sa për t’ua lehtësuar lëvizjen e tyre.
Sipas Kurtit, këto projekte nuk do të jenë autostrada të tipit të mbyllur, por do të hapin rrugë të reja, me të cilat do të shpëtohen fshatrat nga emigrimi, duke i lidhur ato me ekonominë nacionale.
Ashtu siç e kishte përmendur edhe gjatë fushtatës zgjedhore, Kurti premtoi edhe njëherë ndërtimin e dy akseve rrugore dhe funksionalizim të plotë të hekurudhave në Kosovë.
“Do të jemi qeveri për infrastrukturë. Infrastruktura jonë duhet të jetë e plotë dhe funksionale. Ajo nuk duhet të jetë në shërbim të shteteve të tjera si rrugë tranzit për të dalë në një vend tjetër, por duhet të jetë e integruar me ekonominë tonë. Projektet infrastrukturore do të hapin rrugë të reja, jo autostrada të mbyllura, që do të na lidhin kësisoj edhe më shumë. Do ta shpëtojmë fshatin nga emigrimi dhe do ta zhvillojmë atë duke e lidhur me ekonominë nacionale. Do të ndërtojmë aksin rrugor Prizren – Tetovë dhe atë Gjakovë – Shkodër, si dhe funksionalizmin e plotë të sistemit hekurudhor brenda Kosovës”, ka deklaruar Kurti.




