Aktuale
“Kursimet” e Qeverisë rriten me një milion eurot e dështimeve në kulturë
Mbi 30 projekte kapitale në kulturë e trashëgimi kulturore janë shpallur të dështuara nëpërmjet dy vendimeve të Qeverisë në fund të vitit të kaluar.
Ato i janë shtuar listës së projekteve të tjera, të cilat Ministria e Kulturës as që ka nisur t’i realizojë ndër vite. Kësisoj ky institucion nuk ia ka dalë të zbatojë as gjysmën e projekteve kapitale të planifikuara për 2019-n.
Me vendimet e Qeverisë të nënshkruara në nëntor e dhjetor, Ministrisë së Kulturës i janë marrë një milion e 60 mijë euro. Në mbledhjen e 5 nëntorit, me propozim të ministrit në detyrë të Financave, Bedri Hamza, MKRS-së i janë marrë mjetet për 17 projekte kulturore dhe të trashëgimisë kulturore. Kurse në mbledhjen e 17 dhjetorit, sërish me propozim të Hamzës, në ato që janë quajtur kursime, ka shkuar buxheti i paraparë edhe për 17 projekte. Bëhet fjalë për krejt buxhetin e paraparë për 34 projekte që janë të listuara në Ligjin për buxhetin e vitit 2019.
Në tabelat e vendimit figurojnë 17 projekte kapitale.
Qeveria e Kosovës i ka qëndruar gati MKRS-së për t’ia mbledhë mjetet e pashfrytëzuara e për t’i çuar në kursime, përderisa Ekzekutivi që vazhdon të udhëhiqet nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, gjatë vitit të kaluar kishte shpenzuar 4.7 milionë euro nga rezervat shtetërore. Por pos buxhetit që MKRS-ja është detyruar ta dorëzojë për kursime në fund të vitit, një tjetër pjesë e buxhetit për projekte kapitale ka shkuar në suficit.