Aktuale
Kur banorët e Harilaqit e refuzuan projektin e mbeturinave, s’e dinin se po humbnin 12 milionë euro
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/06/deponi.jpg)
Gjithçka filloi me propozimin e qeverisë për ndërtimin e një objekti në fshatin Harilaç ku sipas projektit do të vendoseshin materie të dëmshme. Me të dëgjuar propozimin, Kuvendi Komunal i Fushë Kosovës dhe Banorët e fshatit Harliaç reaguan me pakënaqësi.
Kuvendi vendosi unanimisht në favor të kërkesës së banorëve të fshatit, e që për ta ishte refuzimi i panegociueshëm i projektit. Por duket se ajo çka banorët e Harilaçit dhe Kuvendi Komunal nuk e dinin ishte donacioni nga Bashkimi Evropian që përfshinte një shumë prej 12 milion eurosh pas realizimit të projektit.
Këtë e ka konfirmuar Naser Grajçevci, asamblist/këshilltar i Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës, i cili ka thënë për Gazetën Express se nuk ka qenë në dijeni që nëse nuk e pranojnë propozimin, projekti mund të humbë. Madje ai sqaron se Kuvendi Komunal ka qenë i informuar nga një zyrtar i Ministrisë së Ambientit se realizimi i projektit nuk do të thotë ndikime ambientale sepse objekti do të ndërtohet me standarde evropiane. Grajçevci mendon se dështimi erdhi vetëm sepse ka munguar diskutimi me banorë.
“Në nuk kemi qenë në dijeni se nëse ky projekt refuzohet këtu, atëherë humb donacioni, pra nuk e kemi pasur këtë informacion. Zyrtarë nga Ministria e Ambientit na kanë informuar se nuk do të ketë ndikime ambientale sepse objekti do të ndërtohet me standarde evropiane. Unë mendoj se dështimi ka ndodhur vetëm sepse ka munguar diskutimi me kohë me banorë”, ka thënë Grajçevci për Gazetën Express.
Ndërsa Migjen Kolshi, asamblist dhe banor i fshatit Harilaç, ka thënë për Gazetën Express se iniciativën për refuzim të projektit nuk e ka nisur pa u konsultuar fillimisht me banorët e fshatit. Ai ka mbajtur 3 takime me banorët e fshatit, ku në të gjithat banorët kanë qenë masivisht kundër. E për donacionin prej 12 milionë eurove, Kolshi ka thënë se nuk është bë nami që i kemi humb ato para sepse rrezikohet jeta e tyre nga ato mbeturina, derisa 55 milionë euro Qeveria ia fali Bechtel Ench’ës.
“Unë kam qenë vazhdimisht në kontakt me banorët e fshatit dhe pas tri takimeve që i kemi pasë me banorë, të gjithë kanë qenë masivisht kundër. Qeveria ka bërë gabim në zgjedhjen e lokacionit aty dhe nuk u bo nami që i kemi humb ato para sepse rrezikohet jeta jonë nga ato mbeturina, derisa kjo qeveri i fali 55 milionë euro Bechtel Ench’ës”, ka thënë Kolshi për Gazetën Experss.
Kosova ka më shumë se 100 tonelata të materieve të dëmshme që ruhen në vende joadekuate dhe që mund të paraqesin rrezik për qytetarët. Për realizimin e një projekti ku zgjidhet problemi i këtyre materieve të dëmshme, Bashkimi Evropian ka ofruar një donacion për Kosovën në vlerë 12 milionë euro. Institucionet e Kosovës planifikonin ndërtimin e një objekti në fshatin Harilaç të Fushë Kosovëës, por implementimi i tij dështoi për shkak se Komuna e Fushë Kosovës dhe banorët e Harilaçit refuzuan kategorikisht ndërtimin e një deponie mbeturinash në fshatin e tyre.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)