Aktuale
Kundërshtohet dhënia e pronave komunale KEDS-it në Podujevë pa kompensim

Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje janë shprehur kundër dhënies së pronave kompanisë private KEDS pa kompensim.
Shefi i Grupit të këshilltarëve të LVV-së, Fitim Haziri, ka thënë se këto prona përfshijnë 21 vendbanime me një sipërfaqe prej 338 m2. Sipas tij, kompania e ka për detyrë që të riparojë rrjetin e energjisë elektrike.
“Propozimi i ardhur nga kryetari i Komunës për dhënien e pronave të paluajtshme të Komunës në shfrytëzim afatgjatë në periudhë prej 40 vjetësh që t’i jepen kompanisë private KEDS. Ne si grup i këshilltarëve të LVV-së kemi qenë kundër këtij propozimi,që prona komunale t’i jepet një kompanie private pa kompensim. Këto prona përfshijnë 21 vendbanime me një sipërfaqe prej 338 m2 diku afro 3 arë e gjysmë”, ka theksuar Fitim Haziri. “Ndoshta ndokujt i duket pak, por duhet ta dinë se kjo nuk është pronë e tyre private, po sikur të ishte jam i sigurt që nuk do t’ia kishin dhënë. E di që do t’i referohen asaj se ‘në këto prona do vendosen trafostacione, shtylla betoni, ku do të përfitojnë qytetarët në këto zona dhe ka edhe komuna të tjera që ia kanë dhënë pronat e tyre në shfrytëzim pa kompensim’, por po harrojnë se kjo kompani ka obligim dhe detyrë që të shpërndajë dhe të riparojë rrjetin e energjisë elektrike deri te konsumatori i fundit. Këtë mund ta gjeni edhe në faqen zyrtare të KEDS-it”.
Shefi i GK të VV-së ka thënë se dhënia e pronës së paluajtshme për KEDS-in është absurde dhe e paligjshme.
