Aktuale
Kundër rrënimit të “Gërmisë”, profesor Gjinolli përkrah lokacionin tjetër për Sallën Koncertale

Pak apo pothuajse hiq s’ka njerëz, e profesionistë, që janë deklaruar deri tash se përkrahin idenë e rrënimit të ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”. Kjo po flitej të rrënohej që t’i lëshonte vend Sallën Koncertale.
Në vazhdën e shumë ekspertëve dhe figurave eminente të arkitekturës në vend që e kanë kundërshtuar këtë lëvizje të menduar, ka bërë një deklarim edhe profesori i njohur Ilir Gjinolli, që përkrah një lokacion tjetër, shkruan Ndertimi.info.
Ai ka thënë se lokacion më të mirë se afër Pallatit të Shtypit nuk ka për këtë objekt.
“I tërë procesi ka qenë një mashtrim! Lokacion më të mirë se afër Pallatit të Shtypit nuk ka. Veç duhet me qenë i padijshëm e mos me e kuptu”, ka thënë Gjinolli.
Ai zgjerohet duke treguar përparësitë e këtij lokacioni, sikur është qasja lehtë nga dy rrugë kryesore, mundësi parkimi publik nëntokësor dhe ngritja e vlerës së zonës me një objekt kulminant kulturor.
“Janë fakte që e lënë mbrapa cilëndo variant tjetër”, është shprehur profesor Gjinolli.
Ky lokacion, për të cilin ka folur profesor Ilir Gjinolli, ka qenë në listën e opsioneve, por është eleminuar për shkak të çështjeve pronësore. Mirëpo, sipas tij, rastet e tilla kur ka objekte kapitale shtetërore nuk duhet të jetë prona pengesë.
“Shteti thjeshtë duhet ta kompenzojë pronën sa kushton se ajo blerje është 10 gjenerata te ardhshme!”, ka thënë ai.
E në anën tjetër, për rrënimin e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”, sipas tij do të duhet të shpenzohen 2 milionë euro.
“Misioni i arkitekturës nuk bazohet mbi rrënimin. Këtë duhet ta kenë parasysh ata që kanë vendosë për me e rrënu Shtëpinë e Mallrave!”, ka thënë ai.
Për më shumë rrjetet sociale të profesionistëve janë mbushur me pastime që kundërshtojnë këtë ide, që për shumëkë është e “çmendur”.
Më parë është filluar një Peticion nga Docomomo Kosova që ka arritur mbi 2500 nënshkrime, e dje ka reaguar edhe oganizata “Ec Ma Ndryshe”, që ka thënë se “Rrënimi i ‘Gërmisë’ rrezikohen gjurmët e fundit të historisë dhe trashëgimisë së Prishtinës”.
