Aktuale
Kullat e Jasharajve në Kuvend, Blakaj thotë se kanë folur njerëz që s’marrin “erë” në këtë punë

Gjendja e keqe e kullave të Jasharajve ka mbetur në mëshirën e Parlamentit të Kosovës. Kjo pasi që intervenimet në Kullat e Jasharajve nuk mund të bëhen pa kaluar Ligji për Komplekset Memoriale, kjo u tha edhe sot në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor në të cilën u diskutua për menaxhimin e komplekseve memoriale.
Drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës Idriz Blakaj gjatë prezantimit të raportit për vitin 2017, në këtë tha se mos miratimi i Ligjit u pamundëson ndërhyrjen në Kullat e Jasharajve ose në komplekset tjera.
“Është e vërtetë që Kullat në Prekaz kanë mbet keq. Njerëzve ju ka ra mend pas 18 viteve që kullat janë keq edhe atyre që kanë fol në parlament. Nuk është aprovuar në lexim të dytë Projektligji sepse ai ka kaluar këtu në Kuvend në lexim të parë, por ra Qeveria. Dhe tashmë në Qeveri ende nuk ka kaluar, dhe ne nuk mund të bëjmë tenderime pa qenë ligji”.
Ky raport i cili do të rekomandohet në Kuvend do të nxisë debat sipas kryetarit të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, Daut Hardinaj. Pasi ky i fundit thotë se opinioni është mëse i shqetësuar për gjendjen e mjerueshme të Kullave të Jasharajve.
Haradinaj është shprehur se deri në miratimin e Ligjit për Komplekset Memoriale duhet bërë lutje që Kullate Jasharajve të mos rrëzohen.
“Raporti duhet me u rekomandu miratimit për seancë. Dhe unë e di se në seancë ka me pas debate të ashpëra sepse opinioni është i shqetësuar rreth, sidomos kompleksit Adem Jashari më saktësisht Kullave të cilat janë në gjendje të mjerueshme për të cilat çdo ditë duhet me u lut mos me i rrëzu ato. E kemi nisur Ligji. Projektligji në fjalë është kaluar në lexim të parë dhe besoj që përfundon sa më shpejtë dhe përfundimisht këtij problemi i jep drejtim ai Ligj, Në lexim të dytë nuk besoj që do të ketë shumë ndërhyrje”, tha Haradinaj.
Megjithkëtë, as konservimi i kullave nuk po mund të bëhet pa u miratuar ligji, meqë ky ligj parasheh një formë tjetër.
Blakaj foli edhe rreth asaj se pse projekti për konservimin e Kullave të Jasharajve nuk i është dhënë kompanive vendore. Ai këtë e ka arsyetuar me atë se në Kosovë nuk ka arkitektë të licencuar për konservim.
“Projekti për konservim të kullave nuk mund të bëhet pa u aprovuar ligji, sepse ligji parasheh një formë tjetër. Deri tash Agjencia ka pas drejtë me shpall tenderin, me i përcjellë punët, ndërsa me ministrinë parashihet që të formohet një këshill ndaj institucional i cili ka me përzgjedh kompaninë, procedurat i kryen agjencia por vendimet i merr ai këshill. Kam pas polemika, sepse ka pas profesor që kanë thënë pse nuk po ia jepni vendorëve me punu. Unë nuk di arkitektë të licencuar për konservim në Kosovë nuk ka. Kështu që ligji nuk lejon me ia dhënë atij që nuk ka licencën për një punë të caktuar”, tha Blakaj.
Ndërsa, se projekti i zgjedhur për konservim nuk është i duhuri, Blakaj po thotë se këto deklaratë janë bërë nga njerëzit që nuk marrin “erë” në këtë punë. Megjithatë, ai ritheksoi se për këtë Qeveria dhe Kuvendi mund të miratojnë një komision me ekspertë të cilët do vlerësojnë se bënë apo nuk bënë ky projekt
“Projekti për konservim është i kryer e kanë thënë shumë njerëz që ai projekt nuk vyn. Është fatkeqësi që e kanë thënë njerëzit që nuk marrin erë në atë punë. Por unë e kam thënë parlamenti ose qeveria ka mundësi me angazhu një komision ekspertësh a bënë apo nuk bënë ai projekt, se unë vetë nuk marrë vesh në atë punë, se jam inxhinier”, potencoi Blakaj.
Çështja e mjerimit të Kullave të Jasharajve u ngrit si problem tek atëherë kur media Ndërtimi publikoi storien “Një mëngjes mund të na qel pa Kullat e Jasharajve”.
Nuk mbeti vetëm kjo storie, media Ndërtimi javë më parë ka publikuar edhe dokumentarin temë e të cilës ishte “Kullat që gjëmojnë për ndihmë”.
Emisioni “Koha për Ndërtim” ka sjellë atë që është bërë deri më tani rreth kësaj çështje dhe veprimet që Qeveria ka paraparë t’i ndërmarr. Ndër të tjera ky emision solli edhe informata të reja rreth kullave dhe rrëfime ekskluzive të njerëzve që panë nga afër sulmet në ato kulla.
