Featured
Kulla në Shalë të Bajgorës që bëri ballë tri luftëra
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/12/4-1.jpg)
Dikur ishin tri kulla në të njëtën hapësirë që përbënin një kompleks. Dy nga këto me funksion banimi më nuk janë ekzistente. E, ajo që kishte funksion të odës së burrave vazhdon t’i qëndrojë kohës.
Është kjo Kulla e Ymer Ymerit e cila gjendet në “Mëhallën e mesme” të fshatit Rahovë, fshat ky që shtrihet në zonën e Shalës së Bajgorës në komunën e Mitrovicës.
Kulla e ndërtuar në fund të shekullit XIX shërbente për kuvendimet e pleqnarëve të fshatit. Ajo, arriti që t’u bëjë ballë tri luftërave, Luftën e Parë Botërore, Luftën e Dytë Botërore dhe luftën e viteve 1998/1999. E, deri në luftën e fundit ishte edhe e banuar.
E duke qenë një ndër kullat më të vjetra të kësaj zone por edhe në nivel vendit, ajo figuron në listën e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe është nën mbrojtje të përkohshme që nga viti 2011, shkruan Ndërtimi.info
Kulla është e ndërtuar nga materiali vendor gurë dhe dru, me teknika tradicionale popullore, nga mjeshtrit vendorë. Materiali i gurit të fortë dhe të butë sigurohej nga Majadani dhe Shavari (gurthyes në afërsi të fshatit), ndërsa konstruksioni i drurit u sigurua nga Zabeli i Skenderajt, pjesë e malit në pronësi të vet pronarit.
Në katin përdhese të kullës shtroheshin kafshët e familjes. Ndërsa, kati i sipërm ishte i destinuar për miq dhe odë për kuvendim.
Në katin e sipërm të kullës, në pjesën juglindore, janë të hapura dy frëngji, qemerët e të cilave janë të punuara me gurë të kuqërremtë, të cilat shtojnë vlerën artistike të pamjes së jashtme. Hapësirat e tjera të dritareve janë të formës katërkëndore të madhësive të ndryshme.
Transformimet janë të dukshme kryesisht në mbulesën e kulmit, të kryera nga familjarët, trashëgimtarët.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)