Featured
Kulla e veprimtarit Ramë Bllaca drejt restaurimit

Shtëpia e personalitetit të shquar shqiptar, Ramë Bllaca, e ndërtuar qysh në vitin 1936, në fshatin Bllacë të Suharekës, më nuk do t’i druhet ndonjë shembjeje të mundshme. Kjo për shkak se është përgatitur projekti për restaurimin e saj.
Lajmin pë restaurimin e kësaj kulleje e ka bërë të ditur Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, raporton Ndërtimi.info.
Gashi ka thënë se shtëpia e patriotit Bllaca, e ndërtuar nga guri, ka rëndësi të posaçme historike e kombëtare.
Më poshtë mund ta shihni postimin e plotë të tij.
Së shpejti do të fillojmë restaurimin e Kullës së patriotit, atdhetarit dhe personalitetit të shquar Ramë Bllaca.
Në fshatin Bllacë të komunës të Suharekës ende është në këmbë shtëpia e personalitetit të njohur shqiptar, Ramë Ballaca. Rama Bllaca ishte patriot, intelektual i mirëfilltë, politikan i spikatur si dhe trim i vertetë i kohës, në kuadër të rrethanave politiko-shoqërore, ekonomike e sociale në të cilën ai jetoi.
Ramë Bllaca si deputet në parlamentin e qeverisë së asaj kohe e kuptoi në thellësi, politikën gjenocidiale ndaj popullit shqiptarë të Kosovës, qëllimet dhe pasojat e shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet autoktone. Me qëllim të mos lejimit të lëshimit të vatrave shekullore, të shpërnguljes të shqiptarëve dhe pronat e tyre t’i merrte etnikumi sllav, serbë në veçanti, vuri themelet, filloi ndërtimin e kullës së tij në fshatin Bllacë, në vendlindjen e tij ku kishte lindur në vitin 1879. Themelet e kësaj shtëpie “Kullë” nga guri i vendosi në vitin 1936.
Patrioti Ram Bllaca, me veprimtarinë e paepur të tij ndaj çështjes kombëtare, pos tjerash ndikoi edhe në vetëdijësimin e shqiptarëve që të ngelin në trojet e të parëve të tyre, në Kosovë. Pra, lirisht mund të thuhet se Ramë Bllaca ishte një figurë, personalitet eminent i kohës dhe të rrethanave shoqërore-politike të një periudhe të caktuar historike, gjysmës së parë të shek. XX. #PërRuajtjeneVleraveHistorike KG
